Petrit Malaj drejt ambasadorit në Shkup: Të drejtat e shqiptarëve dhe Marrëveshja e Ohrit në fokus
Petrit Malaj, i propozuar për ambasador të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, ka prezantuar prioritetet e mandatit të tij të ardhshëm para Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vënë theksin te forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Malaj theksoi se angazhimi i tij diplomatik do të mbështetet në një qasje aktive dhe institucionale, ku zbatimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe respektimi i standardeve evropiane do të jenë ndër pikat kryesore të veprimtarisë së tij.
Ai i cilësoi shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve dhe faktor konstruktiv për stabilitetin, bashkëjetesën dhe integrimin euroatlantik të rajonit.
Në mesazhin e tij, Malaj ndau edhe një reflektim personal për Kosovën, me të cilën, siç u shpreh, e lidh një marrëdhënie e veçantë profesionale dhe njerëzore.
“Një pjesë e zemrës sime do të mbetet gjithmonë në Kosovë”, theksoi Malaj, duke shprehur mirënjohje për njerëzit, institucionet dhe miqtë që ka njohur gjatë angazhimit të tij atje.