Nga Vendi
10 October 2026
Petrova: Bullgaria nuk e rinegocion marrëveshjen e vitit 2022 me Maqedoninë e Veriut

Bullgaria nuk pranon ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar dhe nuk rinegocion për kushtet e marrëveshjes së arritur në vitin 2022 me Maqedoninë. Këtë në parlamentin bullgar e ritheksoi ministrja e Jashtme Velisllava Petrova Çamova, një ditë pas takimit me homologun maqedonas Timço Mucunski në Sofje.

Petrova tha se kërkesat ndaj Shkupit mbeten të pandryshuara, respektimi i të drejtave të bullgarëve dhe ndryshmet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“A kemi arritur marrëveshje për ndryshime kushtetuese me zbatim të prolonguar? Përgjigja është “jo”. Ministria e Punëve të Jashtme qëndron pas marrëveshjes së vitit 2022 dhe kategorikisht hedhim poshtë mundësinë e çfarëdo anashkalimi, rinegociimi, dakordësie me vende të caktuara anëtare për çfarëdo lloj dakordësie që do të ndryshonin kushtet e marrëveshjes së arritur. Bullgaria nuk merr pjesë në rinegociimin e marrëveshjes me Shkupin. Nuk kemi nevojë për rinegociim dhe rimarrëveshje sepse ata janë të papranueshme për ne”, deklaroi Velisllava Petrova Çamova, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Mucunski dhe Petrova u takuan një ditë më parë në Sofje. Në margjinat e Konferencës për Korridorin 8, u la hapësirë edhe për takimin dypalësh për kontestin mes dy vendeve. Ministri Timço Mucunski shkroi se takimi ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një frymë pozitive, por qëndrimet e të dyja palëve mbeten dukshëm të largëta. Ai shtoi se “lidhur me integrimin evropian, ekziston një shkallë e lartë mosbesimi, e cila nga perspektiva jonë lidhet me parashikueshmërinë e procesit dhe përvojën e deritanishme me kërkesat dypalëshe”.

Takimi mori jehonë të madhe edhe në mediat më të mëdha bullgare. Edhe përskaj faktit që atmosferën e takimit e përshkruan si pozitive, mesazhi kryesor i BGNES, BNT dhe BTA është se nuk ka lëvizje nga qëndrimet e palëve dhe nga kushtet e Sofjes për integrimin evropian të Shkupit./Alsat/



Të ndryshme
Më shumë
Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, ja për çfarë akuzohet22 November 2026
Bislimovski thotë se do të ketë shtrenjtim të rrymës, ja për sa përqind14 October 2021
Boki 13 me vetë-kërkesë do të dëshmoj para Ruskoskës25 June 2020