Nga Rajoni
10 October 2026
Jahjaga në Stuttgart: Shëndeti mendor kërkon më shumë empati dhe mbështetje

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka marrë pjesë në një aktivitet kushtuar shëndetit mendor në Stuttgart të Gjermanisë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, ku në fokus ishte rëndësia e mbështetjes profesionale, mirëkuptimit dhe kujdesit për komunitetin shqiptar në diasporë.

 

Jahjaga ishte e ftuar nderi e Arbnora Kllokoqit, iniciatores së platformës “Mendje”, në një aktivitet të organizuar në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stuttgart, të përfaqësuar nga konsulli i përgjithshëm, Hamdi Bërbatovci.

 

Gjatë takimit me konsullin, u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në shërbim të bashkatdhetarëve, veçanërisht në procesin e integrimit dhe në mbështetjen e mirëqenies individuale e shoqërore.

 

Sipas Jahjagës, nisma “Mendje” përcjell një mesazh të rëndësishëm, se ndihma nuk njeh kufij dhe se shërbimet profesionale duhet të jenë sa më të afërta dhe të qasshme për të gjithë.

 

Duke ndarë përvojën e saj nga puna me komunitetet, veçanërisht me gratë dhe vajzat e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, ish-presidentja theksoi se jo çdo plagë është e dukshme dhe se empatia, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe mbështetja janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të sigurt për secilin.

 

Mesazhi i saj në këtë ditë ishte i qartë: paragjykimet ndaj shëndetit mendor duhet të tejkalohen dhe kërkimi i ndihmës duhet të shihet si një hap drejt mirëqenies, jo si shenjë dobësie.

 

“Një shoqëri më e shëndetshme fillon aty ku dëgjojmë pa gjykuar, kuptojmë me empati dhe mbështesim njëri-tjetrin”, është mesazhi që Jahjaga përcolli përmes këtij aktiviteti.



Të ndryshme
Më shumë
Einxhel Shkira bëhet nënë për herë të dytë – lajmi i ëmbël zbulohet pas një muaji14 May 2025
“Anjezë ma kpute shpirtin bab”, postimi prekës i babait të 18 vjeçares që vdiq në aksidentin në Kroaci26 July 2021
Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Durrës për Samitin Bërdo-Brioni 6 October 2025