Nga Rajoni
11 October 2026
Shiroka-Pula merr urime nga Presidenti i Italisë dhe ai i Kroacisë, i ofrohet bashkëpunim në rrugën europiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka pranuar mesazhe urimi me rastin e marrjes së detyrës nga presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, dhe ai i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.

Presidenca njofton se në mesazhin e tij, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, “ka shprehur dëshirën që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të marrë një shtysë të re dhe të thellohet më tej, në përputhje me angazhimin e vazhdueshëm të Italisë në mbështetje të Kosovës, i dëshmuar edhe nga pjesëmarrja në misionin e KFOR-it, komandën e të cilit Italia do ta marrë sërish së shpejti”.

“Shpresoj gjithashtu që, gjatë mandatit tuaj, Kosova të arrijë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në reformat e brendshme të nevojshme për ta afruar vendin me familjen e përbashkët evropiane. Në këtë rrugëtim sfidues, Kosova do të mund të mbështetet në përkrahjen tonë”, thuhet në letrën e presidentit Mattarella.

Ndërkaq, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore, njofton presidenca.

“Kroacia do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe formatet e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shpresoj për një mundësi të shpejtë për një takim personal dhe shkëmbim pikëpamjesh mbi perspektivat e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona”, ka shkruar ndër të tjera në letrën e urimit presidenti Milanović.



Të ndryshme
Më shumë
Tetovë/ Asnjë i vdekur nga Covid 19 gjatë 24 orëve të fundit13 September 2021
Përplasja politike: VMRO-DPMNE akuzon Taravarin për shantazh, Aleanca për Shqiptarët flet për shpifje dhe manipulime14 May 2025
Mbrëmë në të njëjtin vend por asnjë foto së bashku, çfarë po ndodh mes Pm, Dagz dhe Donaldit?12 March 2022