Nga Vendi
13 October 2026
Artan Grubit i përfundon masa e arrestit shtëpiak

Ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, i përfundon sot masa e arrestit shtëpiak, pas gati tetë muajsh qëndrimi në këtë masë. Përfundimi i saj nënkupton se Grubi pritet të paraqitet në gjykatë pa shoqërim policor, ndërsa mbetet e hapur çështja e kthimit të pasaportës së tij.

Sipas informacioneve të raportuara nga Alsat, përfundimi i masës vjen në bazë të afateve ligjore, pas kalimit të 60 ditëve nga dorëzimi i propozim-akuzës. Ndërkohë, Grubi ka kërkuar që t’i kthehet edhe pasaporta, duke ofruar prona në vlerë mbi 335 mijë euro si garanci.

Nga Gjykata Penale e Shkupit kanë bërë të ditur se ende nuk kanë marrë vendim për këtë kërkesë, pasi presin mendimin e Prokurorisë, i cili pritet të dorëzohet gjatë kësaj jave.

Ndërkohë, vazhdon procesi gjyqësor ndaj Grubit lidhur me rastin e keqpërdorimeve të dyshuara në Lotarinë Shtetërore. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me vendimin e qeverisë për nisjen e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit.

Sipas prokurorisë, Grubi, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, ka kontribuar në krijimin e kushteve për blerjen e aparateve VLT në vlerë mbi 9,7 milionë euro, të cilat, sipas akuzës, nuk kanë qenë të nevojshme.

Grubi i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke argumentuar se vendimi ishte miratuar me votat e 20 anëtarëve të qeverisë. Mbrojtja pretendon se vendimet janë marrë me synimin që përfitimet nga lojërat e fatit të shkonin drejtpërdrejt te Lotaria Shtetërore.

Përfundimi i arrestit shtëpiak shënon një zhvillim të ri në këtë proces, ndërsa vëmendja tashmë përqendrohet te vendimi për pasaportën dhe vijimi i gjykimit për rastin e Lotarisë Shtetërore.



Të ndryshme
Më shumë
Plas sherri për femra në plazh, dy vëllezërit nga Kosova zihen me grushta me vëllezërit në Shëngjin21 June 2021
Nga protestat te oligarkia, Kurti me deklaratë të fortë për situatën në Shqipëri31 October 2026
Maqedoni, nesër skadon afati për vërtetimin e emrave për kryetarë të komunave dhe këshilltarë17 September 2021