Deri në vitin 2045, Gjermania do të ketë më shumë të moshuar, më pak fuqi punëtore dhe në përgjithësi më pak banorë. Megjithatë ky zhvillim nuk do të jetë i njëjtë kudo në vend.
A po rritet apo po tkurret popullsia në Gjermani? Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është me interes të madh jo vetëm për politikanët. Sepse aty ku numri i banorëve rritet, duhet të shtohen edhe banesat, shkollat dhe infrastruktura e transportit. Ndërsa aty ku popullsia bie, infrastruktura dhe shërbimet publike duhet të vazhdojnë të funksionojnë me më pak njerëz.
Kjo tingëllon më e thjeshtë sesa është në të vërtetë. Një shembull nga shumë të tillë: tubacionet e ujit të pijshëm dhe të ujërave të zeza projektohen për sasi të caktuara rrjedhjeje. Nëse nëpër to kalon dukshëm më pak ujë, ai qëndron më gjatë në rrjet. Si pasojë, cilësia e ujit përkeqësohet, mikrobet mund të shumohen më lehtë dhe tubacionet duhet të shpëlahen më shpesh. Ndërkohë, çmontimi ose përshtatja e këtij rrjeti është një proces i kushtueshëm.
Në total, popullsia e Gjermanisë pritet të bjerë në rreth 81,8 milionë banorë deri në vitin 2045. Kjo do të thotë rreth 1,7 milionë banorë më pak krahasuar me fundin e vitit 2025. Ky është përfundimi i një studimi të ri të realizuar nga Instituti i Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin, në bashkëpunim me Fondacionin Wüstenrot. Por nuk është rënia e numrit të përgjithshëm të banorëve problemi kryesor. Pasoja më e madhe është se në të ardhmen do të ketë gjithnjë e më shumë pensionistë dhe gjithnjë e më pak njerëz në moshë pune. Numri i të punësuarve pritet të tkurret me 4,7 për qind në nivel kombëtar deri në vitin 2045.
“Brezi i baby-boomerëve po del në pension, ndërsa pas tyre vijnë breza dukshëm më të paktë në numër. Numri i lindjeve po bie dhe migracioni nuk po e kompenson më suficitin në rritje të vdekjeve”, tha presidentja e institutit, Catherina Hinz, gjatë prezantimit të studimit në Berlin.
Me termin baby-boomer në Gjermani përshkruhen personat e lindur në vitet 1960. Në atë periudhë, çdo vit regjistroheshin mbi një milion lindje. Më pas, norma e lindjeve ra ndjeshëm, duke u përgjysmuar pothuajse brenda pak vitesh.
Pra, Gjermania po tkurret demografikisht, por jo në të njëjtën masë kudo. Vendi ka një strukturë federale, me nivelin kombëtar, landet dhe komunat. Niveli më i ulët administrativ përbëhet nga 400 qarqe dhe qytete, të cilat janë analizuar në studim përmes një sistemi vlerësimi me 26 tregues, mes tyre demografia, ekonomia, arsimi dhe kushtet sociale.
Rezultatet janë befasuese. Sipas Catherina Hinz, dallimet e njohura mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut, apo qytetit dhe fshatit, tregojnë vetëm një pjesë të historisë. Në të ardhmen, shumë më përcaktues do të jetë fakti se sa ekonomikisht tërheqëse dhe financiarisht i fortë është një rajon.
“Disa rajone do të humbasin ndjeshëm popullsi dhe fuqi punëtore në vitet e ardhshme, ndërsa të tjera do të vazhdojnë të rriten. Madje edhe brenda Lindjes, Jugut apo zonave rurale, hendeku demografik dhe ekonomik do të zgjerohet,” tha Hinz.
“Ndryshimi demografik po zhvillohet tani para syve tanë dhe po ndihet kudo,” paralajmëron drejtuesja e institutit. “Pasojat e tij mund të zbuten, por nuk mund të shmangen më. Sa më gjatë të presim, aq më e vogël bëhet hapësira për veprim.” Sipas Frederick Sixtus nga Instituti i Berlinit, pothuajse kudo në Gjermani ka më shumë vdekje sesa lindje, si pasojë e normave të ulëta të lindshmërisë gjatë dekadave të fundit. Prandaj, zhvillimi i popullsisë së një rajoni varet gjithnjë e më shumë nga ardhjet dhe largimet e banorëve.
Gjatë dekadave të fundit, migracioni nga jashtë vendit ka luajtur vazhdimisht një rol stabilizues në zhvillimin demografik. Megjithatë, vetëm migracioni nuk mjafton më për të ndalur plakjen e shoqërisë. Sipas studimit, që një rajon të jetë tërheqës për migrantët, qoftë nga jashtë Gjermanisë apo nga rajone të tjera të vendit, duhet të plotësojë disa kushte të rëndësishme si: vende pune me kushte të mira dhe paga tërheqëse; fuqi punëtore të mjaftueshme për bizneset; komuna me financa të shëndosha; mundësi të mira kujdesi për familjet me fëmijë; dhe një sistem funksional transporti dhe lëvizshmërie. Vetëm rajonet që ofrojnë këto kushte kanë gjasa të tërheqin banorë të rinj dhe të kompensojnë pjesërisht humbjet që sjell ndryshimi demografik.
Sipas Manuel Slupina nga Fondacioni Wüstenrot, shumë qytete të mëdha do të vazhdojnë të rriten edhe në të ardhmen. Sipas studimit, kryesuesi do të jetë Berlini, ku popullsia pritet të rritet me pothuajse 10 për qind. Por edhe Hamburgu, Frankfurti mbi Main, Mynihu dhe Dyseldorfi në perëndim të vendit, si dhe Lajpcigu, Drezdeni dhe Potsdami në lindje, vazhdojnë të tërheqin banorë të rinj.
Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se ndarja klasike mes qytetit dhe fshatit nuk vlen më kudo. Edhe zonat përreth shumë metropoleve pritet të shënojnë rritje. Ndërsa të rinjtë zakonisht zhvendosen drejt qyteteve të mëdha, familjet me fëmijë preferojnë gjithnjë e më shumë komunat dhe rajonet përreth tyre. Nga ana tjetër, ka edhe humbës. Në mesin e tyre renditen disa qytete të mëdha në Gjermaninë Perëndimore, si Brema, Duisburgu, Dortmundi dhe Kaiserslauterni, të cilat po bëhen gjithnjë e më pak tërheqëse ekonomikisht. Në fund të renditjes gjenden kryesisht rajone me dendësi të ulët popullsie, shumë prej tyre në Gjermaninë Lindore, të cilat po përballen me rënie të vazhdueshme të popullsisë dhe sfida ekonomike në rritje.
Pikërisht në këto rajone pritet rënia më e madhe e popullsisë në moshë pune. Sipas studimit, deri në vitin 2045 numri i njerëzve të aftë për punë mund të tkurret deri në 18 për qind. Prandaj, autorët e studimit theksojnë se konkurrenca për fuqinë punëtore do të bëhet një nga sfidat kryesore demografike të viteve të ardhshme. Në këtë garë, mundësitë më të mira u atribuohen dy landeve jugore, Bavarisë dhe Baden-Württembergut. Bavaria veçohet sidomos për ekonominë e saj të fortë në shumë rajone dhe për një treg pune që funksionon mirë.
Gjithashtu, në Bavari gratë, të moshuarit dhe personat pa pasaportë gjermane janë të punësuar më shpesh sesa në shumë pjesë të tjera të vendit. Renditja tregon se rajonet ekonomikisht të suksesshme arrijnë të integrojnë më mirë grupe të ndryshme të popullsisë në tregun e punës sesa rajonet më të dobëta ekonomikisht.
Për Manuel Slupina, rezultatet e studimit tregojnë se ka nevojë për veprim të madh politik. Ai ngre një pyetje themelore duke iu referuar Kushtetutës gjermane: “Sa pabarazi rajonale mund të përballojë pretendimi politik për kushte të barabarta jetese?” Sipas Kushtetutës, Gjermania e ka si objektiv që njerëzit, pavarësisht vendit ku jetojnë, të kenë mundësi të krahasueshme dhe një shans të barabartë për një jetë të mirë.
Studiuesit kanë rekomandime të qarta për politikën. Vëmendja duhet të përqendrohet te sfidat strukturore dhe dallimet rajonale. Sipas Slupinës: “Ajo që është një zgjidhje e mirë për një metropol në rritje, nuk është domosdoshmërisht e përshtatshme për një qark rural që po tkurret.” Prandaj nevojiten zgjidhje të përshtatura për secilin rajon. Për këtë, sipas tij, duhen krijuar kushtet e duhura. “Duhet më pak rregulla të ngurta, më shumë hapësirë për veprim dhe më shumë mundësi financiare, sidomos për komunat lokale dhe për njerëzit që angazhohen në terren.” Në fund, Slupina kërkon më shumë besim në aftësitë dhe potencialin e vetë rajoneve për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave të tyre demografike dhe ekonomike.
Komunat do ta mirëprisnin me siguri një qasje të tillë. Kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e qarqeve kërkojnë prej kohësh më shumë hapësirë financiare për të vepruar. Aktualisht, ata po kërkojnë që të rritet pjesa komunale tek të ardhurat e përgjithshme tatimore të shtetit. Qeveria federale dhe landet kundërshtojnë këtë kërkesë, duke argumentuar se edhe ato vetë përballen me probleme buxhetore. Megjithatë, të dyja palët janë të vetëdijshme se në të ardhmen vështirë se do të mund të shmanget një reformë e sistemit federal të financave./DW/