Nga Rajoni
13 October 2026
Vrasja e Liridonës, familja kundër ankesës së Murselit për ulje të dënimit: Burgim i përjetshëm edhe për Kokallën

Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka kundërshtuar kërkesën e Naim Murselit drejtuar Gjykatës së Apelit për zbutjen e dënimit me burgim të përjetshëm, duke kërkuar që vendimi i Gjykatës Themelore të konfirmohet në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Në një prononcim për Telegrafin, Ademaj ka thënë se kërkesa e Murselit është kontradiktore, pasi për gati tri vjet, sipas tij, ai ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Liridona Ademajt, ndërsa pas shpalljes së vendimit gjyqësor kërkon dënim më të butë.

“Sa i përket ankesës së Naim Murselit, ai për gati tri vjet vazhdimisht në seanca ka thënë që nuk ka qenë i përfshirë në këtë vrasje makabre. Tash, kur kemi një vendim gjykate, pajtohet plotësisht me dënimin, por kërkon një dënim më të lehtë”, ka deklaruar Ademaj.

Ai ka theksuar se familja e mbështet fuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore dhe kundërshton çdo mundësi për uljen e dënimit.

“Prandaj, një krimineli të tillë nuk duhet as t’i besohet e as t’i ulet dënimi. Ne si familje e mbështesim fuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore dhe jemi pas saj”, ka thënë ai.

Ademaj ka shtuar se çdo vendim për uljen e dënimit do të ishte sipas familjes cenim i kujtimit të Liridonës dhe i viktimave të femicidit.

 

“Çdo vendim tjetër e cenon dhe e denigron Liridonën dhe të gjitha viktimat e femicidit”, është shprehur ai.

Ademaj ka theksua se mesazhi duhet të jetë i qartë dhe se kriminelët duhet të kalben në burg dhe se të gjithë ata të cilët tentojnë të ngrisin duart mbi nënat e motrat tona duhet t’i pres i njëjti vendim, pra me burgim të përjetshëm.

Leonard Ademaj ka folur edhe për ankesën e Kushtrim Kokallës, duke përsëritur qëndrimin e familjes se edhe ndaj tij duhet të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm.

Sipas tij, Kokalla kishte rol aktiv në organizimin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Ne si familje kemi kërkuar që prej fillimit që edhe ai të jetë i dënuar me burgim të përjetshëm, sepse kishte rol aktiv dhe të gjitha organizimet e këtij grupi kriminal ishin me urdhër të Kushtrim Kokallës”, ka deklaruar Ademaj për Telegrafin.

Ai është thirrur në deklaratat e dhëna në polici dhe gjatë hetimeve, si dhe në video-incizimet dhe dëshmitë e paraqitura në gjykatë, për të mbështetur qëndrimin e familjes për përfshirjen e Kokallës në organizimin e vrasjes.

“Deklaratat e tij në polici dhe hetuesi, gjithashtu video-incizimet e posaçërisht marrja në pyetje nga gjykata, ai veçse e ka konfirmuar edhe vetë se së bashku me Naimin e kanë organizuar këtë vrasje, duke e zgjedhur Granitin, pra shokun e tij të ngushtë, si vrasës”, ka thënë ai.

Ademaj i ka cilësuar ankesat si përpjekje për të ndryshuar qëndrimin e mbajtur gjatë procesit gjyqësor dhe ka kërkuar që vendimet ndaj të dënuarve të mbeten në fuqi.

“Prandaj ne kërkojmë që ky vendim të jetë në të gjitha shkallët e gjykatave”, ka përfunduar ai.

Ankesa e Naim Murselit kundër aktgjykimit të shkallës së parë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit më 29 tetor, në orën 09:50.

 

Mbrojtja e tij ka kërkuar prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë, duke ngritur pretendime për mënyrën e vlerësimit të provave nga gjykata. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë
Gostivar, rritet dalja në zgjedhjet në krahasim me rrethin e parë31 October 2021
Ozil vendos përfundimisht për të ardhmen15 May 2020
Distria Krasniqi siguron gjysmëfinalen në Grand Slamin e Parisit pas dueli dramatik 7 February 2026