Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka kritikuar propozimin që provimi i jurisprudencës të zhvillohet vetëm pjesërisht në gjuhën shqipe, duke kërkuar që institucionet të zbatojnë në mënyrë konsekuente dispozitat ligjore për përdorimin e gjuhëve.
Ademi thotë se në vend që Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria të insistojnë në zbatimin e ligjit, studentëve shqiptarë po u ofrohet një kompromis që, sipas tij, nënkupton shkeljen e vetë dispozitave ligjore.
“Në vend që ministri dhe Qeveria të kërkojnë zbatimin konsekuent të ligjit, ata zgjedhin t’u thonë studentëve: ‘Hajde të merremi vesh ta shkelim ligjin, ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht’”, deklaron Ademi.
Më herët Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore, pas takimit me ministrinë e Drejtësisë, ka deklaruar se atyre u është ofruar një zgjidhje që 12 provime të jepen në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën maqedonase./Telegrafi/