Nga Rajoni
26 October 2026
Studentët rrëzojnë Vuçiqin, shqiptarët sigurojnë dy ulëse në Kuvendin e Serbisë

Dymbëdhjetë vjet pushtet të Aleksandar Vuçiqit, që opozita e shoqëria civile në Serbi e kanë quajtur diktatorial, kanë marrë fund të dielën mbrëma.

Partia e udhëhequr nga ai, SNS, ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë zgjedhore me shumë incidente e parregullsi të raportuara.

Fituese është Lista Studentore, që sipas organizatës që monitoron zgjedhjet – CRTA – ka fituar 51.7 për qind.

Sipas të dhënave të saj, bazuar në rezultatet nga një mostër vendvotimesh, SNS-ja e Vuçiqit ka fituar 40.42 për qind. 

Humbjen e ka pranuar edhe vetë Vuçiqi, vetëm një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve.

“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë mes 135 dhe 140 mandate, ndërsa në rreth 105 mandate”, ka thënë Vuçiqi nga shtabi i partisë në Beograd. “Ne kemi rreth 1.720.000 vota, ndërsa ata rreth 2.200.000”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka vazhduar të akuzojë Listën e Studentëve si bllokuese dhe të dëmshme për Serbinë. Ka thënë se fitorja e kësaj liste është arritur falë ndihmës së shteteve që sipas tij, nuk ia duan të mirën Serbisë.

E festë pati në shtabin e Listës Studentore, që në këto zgjedhje garoi me sloganin “Studentët fitojnë”.
Kandidatët e kësaj liste, së bashku me studentët, kanë kënduar e brohoritur “Fitore”.

“Kurrë më tiranë në vendin tonë”, ka thënë Ilija Sërdanoviq, i pari në Listën Studentore.

Nga partitë serbe nuk pritet të kalojë asnjë tjetër pragun zgjedhor prej tre për qind, përfshirë edhe atë që udhëhiqet nga Ivica Daçiq – SPS. Kjo parti, sipas CRTA-s, ka fituar pak mbi 2 për qind.

E nga partitë pakicë në Serbi, pritet të sigurojnë ulëse ato shqiptare, hungareze dhe me mundësi edhe boshnjake.

Shqiptarët kanë garuar në këto zgjedhje në një listë të vetme me emrin “Koalicioni shqiptar”.

I pari në këtë listë, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët kanë siguruar dy ulëse në bazë të rezultateve të deritashme e ka mundësi të sigurohet edhe ulësja e tretë.

“Arritje historike! Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin! Sipas rezultateve preliminare, ‘Koalicioni Shqiptar’ ka marrë 27.230 vota, që me rritjen prej 35% të koeficienteve zgjedhore për pakicat kombëtare japin vlerën llogaritëse prej 36.761 votash. Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe Kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Në legjislaturën e fundit, shqiptarët janë përfaqësuar me vetëm një deputet në Kuvendin e Serbisë – Kamberin.

Rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” e ka quajtur historik edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u ka bërë shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdimisht thirrje për dalje për të votuar.

“Sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.230 vota në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që me rritjen prej 35% të koeficienteve zgjedhore për pakicat kombëtare, përkthehen në ekuivalentin e 36.761 votave për përllogaritjen e mandateve. Dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, me garën për të tretin ende të hapur! Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar. Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhje përballë Listës Studentore. Edhe Ivica Daçiq po përballet me një humbje të rëndë, me listën e tij që, sipas projeksioneve preliminare, mbetet nën pragun zgjedhor prej 3%. Urime të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që e bënë të mundur këtë bashkim!”, ka shkruar ai në Facebook.

Në fakt, pas pranimit të humbjes nga Vuçiqi, në shumë qytete të Serbisë ka shpërthyer festë e madhe, sidomos në Beograd, ku institucionet kryesore të vendit, pak para mbylljes së vendvotimeve u rrethuan nga xhandarmëria serbe. 

Lista Studentore është paraqitur në zgjedhje pas gati dy vjetësh protesta, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi-Sad, që ka lënë të vdekur 16 persona.

Pas shumë protestash e presioni, Vuçiqi para pak javësh ka dhënë dorëheqjen si president dhe ka shpallur zgjedhjet e reja, duke garuar në to si kandidat për kryeministër.

Kjo lëvizje studentore ka mbledhur në një listë 250 profesorë e pjesëtarë të ndryshëm të shoqërisë civile, që tash do të ketë shumicën në Kuvendin e Serbisë.

Dalja e votuesve ishte e madhe. Të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 69.7 për qind, që kur të shtohen edhe votat nga diaspora serbe, mund të thyejë rekordin e vitit 2000, kur ishte rrëzuar regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) ka njoftuar se deri në orën 20:00 ka regjistruar mbi 300 raportime për parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve.

Në uebfaqen e saj, qendra ka shkruar se ndër problemet kryesore ishin parregullsitë në organizimin e votimit jashtë vendvotimeve, raportimet për votim pa paraqitur letërnjoftimin, rastet e përsëritura të fotografimit të fletëvotimeve dhe votimi familjar apo në grup.

Raportimet tregojnë edhe për probleme në punën e këshillave të vendvotimeve, mosfunksionim të pajisjeve për verifikimin e votuesve, ndërprerje të votimit dhe vështirësi në ushtrimin e së drejtës së votës.



Të ndryshme
Më shumë
Qyteti zviceran, në top 10 qytetet me ajrin më të pastër në Evropë20 August 2021
Kim Kardashian rikthen stilin e flokëve që Kaci me Nora Istrefin e sollën 18 vite më parë...19 October 2026
Koncerti i fundit, Dafina ka një mesazh! 3 May 2025