Sistemi “Safe City” do të zgjerohet edhe me kamera mobile të vendosura në automjetet policore, përfshirë edhe ato civile. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se një numër i madh i automjeteve të MPB-së do të pajisen me pajisje që do të regjistrojnë automatikisht kundërvajtjet në komunikacion, para së gjithash tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Sipas Toshkovskit, qëllimi është të parandalohet praktika që shoferët t’i respektojnë rregullat vetëm në vendet ku e dinë se ka kamera të vendosura, ndërsa në pjesët e tjera të rrugëve të lëvizin me shpejtësi të papërshtatshme.
“Tanimë i kemi mësuar se ku janë kamerat dhe dimë që aty ku ka kamerë vozisim ashtu siç duhet, ndërsa aty ku nuk ka kamerë kemi përsëri një mënyrë tjetër të drejtimit të automjetit. Në të ardhmen, një numër i madh i automjeteve policore, përfshirë edhe ato civile, do të pajisen me pajisje përmes të cilave do të mund të konstatohen disa kundërvajtje”, paralajmëroi Toshkovski.
Ai sqaroi se kundërvajtjet e regjistruara nga automjetet policore do të regjistrohen drejtpërdrejt në sistemin elektronik.
“Shoferët më nuk do të mund të supozojnë se ku do të jenë automjetet policore, ndërsa ato do të mund të konstatojnë kundërvajtje që drejtpërdrejt do të regjistrohet në sistemin digjital”, tha ministri.
Toshkovski për momentin nuk zbuloi se sa automjete policore do të pajisen me pajisjet e reja dhe as kur do të fillojë zbatimi i tyre, por paralajmëroi se kontrolli mobil duhet të kontribuojë për disiplinë më të madhe dhe siguri më të lartë në komunikacion, edhe në rrugët ku nuk ka kamera fikse.