Nga Vendi
14 November 2026
Ademi nxjerr dokumentet për Alta Bankën: Qeveria VMRO-VLEN ia hapi rrugën bankës serbe

Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, në një konferencë për shtyp ka paraqitur një sërë vendimesh dhe datash lidhur me procesin e marrjes së Stopanska Bankës në Manastir nga Alta Banka e Beogradit, duke akuzuar Qeverinë VMRO-VLEN se po përpiqet ta zhvendosë përgjegjësinë politike te qeverisja e mëparshme, përcjell gazeta KOHA. Sipas Ademit, dokumentet zyrtare tregojnë se vendimet vendimtare për hyrjen e bankës serbe në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut janë marrë gjatë vitit 2025, kur në pushtet ndodheshin VMRO-DPMNE, VLEN dhe partnerët e tyre qeveritarë.

“Qeveria e Mickoskit dhe VLEN-it po përpiqet ta mjegullojë të vërtetën për Alta Bankën, duke përzier vendime të viteve të ndryshme dhe çështje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Por dokumentet zyrtare flasin qartë”, deklaroi Ademi.

Duke iu referuar vendimit të 24 tetorit 2023, Ademi tha se Qeveria e atëhershme kishte ndërmarrë veprime për mbrojtjen e aksioneve që Maqedonia e Veriut i kishte trashëguar nga procesi i sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Ai sqaroi se bëhej fjalë për aksione në një bankë të mëparshme jugosllave, e cila ndërkohë ishte blerë nga Alta Banka e Beogradit.

Sipas tij, legjislacioni serb u mundëson aksionarëve që zotërojnë mbi 90 për qind të aksioneve t’i marrin edhe aksionet e mbetura pa pëlqimin e aksionarëve të vegjël. Pikërisht për këtë arsye, siç tha Ademi, Qeveria e atëhershme kishte angazhuar Avokaturën Shtetërore që të përfaqësonte interesat e Maqedonisë së Veriut në Serbi.

“Ky ishte qëllimi i vetëm i vendimit të vitit 2023. Nuk kishte asnjë lidhje me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut apo me blerjen e Stopanska Bankës në Manastir”, theksoi ai. Duke kaluar te zhvillimet e vitit 2025, Ademi paraqiti kronologjinë e vendimeve që, sipas tij, mundësuan marrjen e Stopanska Bankës nga Alta Banka.

Ai tha se më 1 shtator 2025, Banka Popullore dha pëlqimin paraprak për pjesëmarrje të kualifikuar, ndërsa më 10 shtator, Komisioni i Letrave me Vlerë, përmes vendimit me numër 10-69, miratoi lejen për ofertën e marrjes në kontroll të Stopanska Bankës. Në këtë pikë, Ademi veçoi rolin e kryetares së Komisionit të Letrave me Vlerë, Bujare Abazi, të cilën e identifikoi si kuadër të VLEN-it.

“Shikojeni mirë këtë dokument: vendimi mban emrin e kryetares së Komisionit, Bujare Abazi, kuadër i VLEN-it. Kjo është leja zyrtare për ofertën e marrjes në kontroll, e botuar në Gazetën Zyrtare më 22 shtator 2025”, deklaroi Ademi. Sipas tij, ky dokument dëshmon se një nga vendimet kryesore institucionale për procesin e marrjes së bankës është miratuar gjatë mandatit të Qeverisë aktuale.

Ademi u ndal edhe te vendimet e Qeverisë të 23 shtatorit 2025, të cilat, sipas tij, janë miratuar me propozim të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Ai pretendoi se përmes këtyre përfundimeve, 16 institucione publike u udhëzuan të shqyrtonin pranimin ose refuzimin e ofertës së Alta Bankës për aksionet që posedonin. Sipas tij, për institucionet që do ta pranonin ofertën kërkoheshin edhe deklarata me shkrim brenda afateve të përcaktuara.

“Pra, Qeveria nuk ishte spektatore. Ajo e futi ofertën e Alta Bankës në procedurat e veta dhe mobilizoi institucionet publike për ta trajtuar atë”, tha Ademi.

Ai vlerësoi se këto veprime rrëzojnë përpjekjet e pushtetit aktual për ta paraqitur procesin si një çështje që buron nga vendimet e Qeverisë së mëparshme. Sipas kronologjisë së paraqitur nga Ademi, në tetor të vitit 2025 oferta e Alta Bankës për marrjen e Stopanska Bankës rezultoi e suksesshme, ndërsa në dhjetor të po atij viti banka mori emrin Alta Banka. Ai theksoi se pëlqimi bankar, leja e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe veprimet e Qeverisë lidhur me aksionet publike ndodhën të gjitha gjatë mandatit të Qeverisë VMRO-DPMNE–VLEN.

“Kjo kronologji nuk mund të ndryshohet me deklarata politike”, u shpreh sekretari i përgjithshëm i BDI-së. Në fund të konferencës, Ademi kërkoi përgjigje nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrat e VLEN-it lidhur me kontrollin e prejardhjes së kapitalit dhe verifikimet e kryera për pronarët e Alta Bankës.

Ai kërkoi të bëhet publike se cilat institucione kanë kontrolluar burimin e kapitalit, çfarë verifikimesh janë realizuar dhe cilat kanë qenë vendimet konkrete të institucioneve publike lidhur me ofertën për aksionet.

Ademi kërkoi gjithashtu sqarime për përgjegjësinë e secilit institucion, përfshirë Komisionin e Letrave me Vlerë, të drejtuar nga Bujare Abazi.

“Qytetarët meritojnë dokumentet dhe përgjigjet, jo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023 që kishte krejt tjetër qëllim”, deklaroi ai. Konferencën për shtyp Ademi e përmbylli me mesazhin: “Rrena i ka këmbët e shkurtra. Dokumentet mbeten!”.



Të ndryshme
Më shumë
Sela dhe Gashi sot takohen me Albin Kurtin në Prishtinë 2 July 2020
Ahmeti komenton deklaratën e Taravarit29 October 2021
Irani paralajmëron përshkallëzim, kërcënon me reagim ndaj çdo ndërhyrjeje në ishullin strategjik26 March 2026