Nga Vendi
19 November 2026
Qendra analitike-hulumtuese “Abdilaqim Ademi” hap debatin për Marrëveshjen Kombëtare për Përparim

Ekspertë të diplomacisë, politikës, akademisë dhe medias diskutojnë për të ardhmen evropiane, zhvillimin institucional dhe etapën e re të shtetndërtimit të Maqedonisë së Veriut.

Qendra Analitike-Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, pranë Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), organizoi panelin “Marrëveshja Kombëtare për Përparim – Maqedonia e Veriut, shteti, shoqëria dhe e ardhmja evropiane”, me synimin për të hapur një proces të strukturuar debati dhe konsultimi mbi prioritetet strategjike të zhvillimit të vendit.

Në panel morën pjesë pesë personalitete me përvojë të spikatur: Dr. Bujar Osmani, ish-ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Peci, diplomat dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbana Pasholli, deputete, Lutfi Dervishi, profesor universitar dhe gazetar, si dhe Blerim Canaj, historian, diplomat.

Diskutimet trajtuan orientimin ndërkombëtar dhe integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, Marrëveshjen e Ohrit dhe barazinë institucionale, kapitalin njerëzor, cilësinë e arsimit, si dhe zhvillimin e demokracisë dhe kulturës politike. Kontributi i panelistëve solli analiza profesionale dhe perspektiva të rëndësishme për sfidat dhe mundësitë e Maqedonisë së Veriut.

Në hapje të forumit, drejtoresha e Qendrës, mr. Fatjona Geci, theksoi se kjo nismë buron nga Rezoluta “Për Marrëveshjen Kombëtare për Përparim dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Vendit”, e miratuar në Kongresin e Pestë të BDI-së, në vitin 2025. Ajo nënvizoi nevojën që arritjet historike të shtetndërtimit të shndërrohen në një etapë të re zhvillimi, ku përparimi ekonomik, drejtësia sociale, institucionet funksionale dhe perspektiva evropiane të jenë prioritete të përbashkëta.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua kontributit historik të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetarit Ali Ahmeti në proceset që kanë përcaktuar zhvillimin e Maqedonisë së Veriut. Nga Marrëveshja e Ohrit dhe konsolidimi i paqes, te avancimi i të drejtave të shqiptarëve, përfaqësimi institucional dhe orientimi euroatlantik, BDI-ja ka qenë një nga faktorët kryesorë politikë të transformimit të vendit. Roli i Ali Ahmetit në këto procese përfaqëson një kapitull të rëndësishëm të historisë politike bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë fjalës së tij u ndal edhe te rëndësia historike dhe politike e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, zgjidhja më e mirë për të dy popujt në Maqedoninë e asaj kohe ishte pikërisht kjo marrëveshje. Ai theksoi se pala shqiptare u angazhua me përkushtim për t'ua shpjeguar qytetarëve shqiptarë rëndësinë e saj, duke nënvizuar se Marrëveshja e Ohrit ishte një arritje e dobishme, e cila avanconte statusin politik dhe juridik të shqiptarëve. Sipas Ahmetit, një përpjekje e ngjashme për t'ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e kësaj marrëveshjeje nuk u bë në të njëjtën masë nga përfaqësuesit politikë të bashkëqytetarëve maqedonas.

Në përmbyllje, panelistët u ftuan të propozojnë tri prioritete konkrete dhe të panegociueshme për fushat e tyre, të cilat mund të shërbejnë si bazë për hartimin e Marrëveshjes Kombëtare për Përparim.

Qendra “Abdilaqim Ademi” synon që këtë forum ta shndërrojë në pikënisjen e një procesi më të gjerë konsultimi me ekspertë, profesionistë, përfaqësues të biznesit, diasporën dhe të rinjtë.

Marrëveshja Kombëtare për Përparim synon të ndërtojë urën ndërmjet arritjeve historike të shtetndërtimit dhe vizionit për të ardhmen: një shtet më demokratik, më funksional, më të drejtë dhe me perspektivë të qartë evropiane.



Të ndryshme
Më shumë
KSHZ: Pjesëmarrja e votuesve deri në ora 11:00 është 11 për qind15 July 2020
Kadriu: Provimi i jurisprudencës duhet të jepet në gjuhën shqipe13 November 2026
Anita Haradinaj i reagon deputetes së Vetëvendosjes për akuzat e saj se "Ramushi ka ushtruar dhunë mbi të": Do të ndjek rrugën ligjore, shpifjet nuk kalojnë28 October 2026