Nga Vendi
19 November 2026
Teuta Arifi: Respektimi i marrëveshjeve, garanci për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane

Respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kombëtare është thelbësor për stabilitetin politik dhe zhvillimin e shoqërisë. Këtë mesazh e përcolli Teuta Arifi gjatë debatit të organizuar nga Qendra Analitike-Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”, ku në fokus ishte nevoja për konsensus politik dhe ndëretnik në Maqedoninë e Veriut.


Arifi vlerësoi se vënia në pikëpyetje e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, veçanërisht kur njëra palë konsideron se kanë krijuar rrethana për t'i rishikuar apo zhbërë ato, paraqet rrezik për stabilitetin e vendit dhe për proceset e ndjeshme të integrimit evropian.


“Respektimi i marrëveshjeve, qofshin ato të natyrës ndërkombëtare apo kombëtare, është parakusht jo vetëm i stabilitetit, por njëkohësisht edhe i zhvillimit të një shoqërie”, theksoi Arifi.
Duke trajtuar sfidat aktuale politike, ajo shtroi edhe çështjen e domosdoshmërisë së një Marrëveshjeje Kombëtare, e cila do të përfshinte dimensionin ndëretnik dhe ndërpartiak, me synimin për të riafirmuar vlerat e marrëveshjeve të mëparshme dhe për të ndërtuar një bazë të përbashkët për zhvillimin e ardhshëm.


“Ka ardhur vallë koha për Marrëveshje Kombëtare ndëretnike dhe ndërpolitike, me të cilat do të riafirmonim vlerat e marrëveshjeve të kaluara dhe respektimin e tyre, dhe mbi këto baza të ndërtonim marrëveshjet e së ardhmes për zhvillim?”, ishte pyetja që shtroi Arifi.


Mesazhi i saj në këtë debat riktheu në vëmendje rëndësinë e përgjegjësisë politike, dialogut dhe konsensusit të gjerë si themele për stabilitetin institucional dhe avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.



Të ndryshme
Më shumë
Maqedonia heq kompensimet për mjetet ajrore ushtarake dhe policore të Serbisë, Malit të Zi dhe Rumanisë10 August 2021
Studimi që tregon se sa para duhet të fitosh në vit për të qenë i lumtur18 June 2021
Bimët mjekësore që largojnë ankthin dhe stresin31 July 2020