Nga Vendi
23 November 2026
BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat u ndanë për nxënësit shqiptarë

BDI kërkon sqarime nga Ministria e Arsimit dhe zëvendësministri Driton Sulejmani për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë në ndarjen e bursave për vitin shkollor 2026/2027, përcjell TV21. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke pretenduar se nxënësit shqiptarë janë të nënpërfaqësuar.

Sipas të dhënave që paraqet BDI-ja, nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.

Nga partia theksojnë se në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga 50 bursa të ndara nuk ka përfituar asnjë nxënës shqiptar, ndërsa në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm katër nga gjithsej 150 bursa u janë ndarë nxënësve shqiptarë.

BDI kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe zëvendësministri Driton Sulejmani të japin sqarime për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes.

“Këto rezultate kërkojnë sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga zëvendësministri Driton Sulejmani, i cili duhet të shpjegojë se si është siguruar trajtimi i barabartë i nxënësve dhe nëse janë analizuar kriteret, procedurat dhe rezultatet sipas përkatësisë etnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia kërkon gjithashtu publikimin e të dhënave të plota për numrin e aplikimeve, pikët e fituara dhe përfituesit sipas kategorive, si dhe sqarimin e kritereve mbi bazën e të cilave janë ndarë bursat. BDI vlerëson se ndarja e bursave duhet të bëhet mbi kritere të drejta dhe të barabarta, ndërsa kërkon përgjegjësi institucionale dhe transparencë nga Ministria e Arsimit.



Të ndryshme
Më shumë
Selimi: Taksisti, simpatizues i VMRO-së, me ton qortues më tregoi se cka duhet të flas nëpër debate25 October 2021
Përplasje politike për eurointegrimet, opozita akuzon për sabotim të procesit 3 April 2026
Studimi që tregon se sa para duhet të fitosh në vit për të qenë i lumtur18 June 2021