Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE) nuk është vetëm çështje e suksesit të shtetit, por edhe e kredibilitetit të Unionit dhe gatishmërisë së tij për të përmbushur premtimin e dhënë vendeve kandidate, ka deklaruar presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
“Nëse Mali i Zi nuk ia del, kjo do të jetë edhe një dështim i BE-së. Mendoj se as Mali i Zi dhe as BE-ja nuk mund t’ia lejojnë vetes këtë”, tha Milatoviq, gjatë një interviste të drejtpërdrejtë mëngjesin e sotëm për televizionin Euroneës në Bruksel.
Siç është bërë e ditur nga kabineti i tij, Milatoviq theksoi se Mali i Zi është sot bindshëm vendi kandidat më i avancuar, me 25 nga gjithsej 33 kapituj negociues të mbyllur. Ai pret që deri në fund të këtij viti të mbyllen edhe kapitujt e mbetur, ndërsa deri në verën e vitit të ardhshëm të nënshkruhet Traktati i Anëtarësimit.
“Besoj se jemi në rrugën e duhur që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028”, deklaroi Milatoviq.
Ai theksoi se për realizimin e këtij synimi ekziston mbështetje e fuqishme politike nga liderët evropianë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Milatoviq rikujtoi rëndësinë e Samitit BE–Ballkani Perëndimor, të cilin e priti në Tivat dhe që, sipas tij, konfirmoi më tej mbështetjen politike për perspektivën evropiane të Malit të Zi.
Duke folur për rezultatet konkrete, Milatoviq theksoi se Mali i Zi vetëm gjatë këtij viti ka mbyllur 13 kapituj negociues, ndërsa vetëm Lituania dhe Letonia, para më shumë se 25 vjetësh, kanë arritur ta realizojnë këtë rezultat brenda një viti.
Sipas tij, mbyllja e tetë kapitujve të mbetur deri në fund të vitit do ta bënte Malin e Zi të arrinte një rezultat historik në politikën e zgjerimit të BE-së.
“Mali i Zi po i përmbush obligimet e veta, ndërsa edhe BE-ja po i përmbush obligimet e saj”, theksoi Milatoviq.
Sa u përket çështjeve dypalëshe të pazgjidhura me Kroacinë, Milatoviq tha se beson që ato nuk do ta rrezikojnë rrugën evropiane të Malit të Zi. Ai vlerësoi se anëtarësimi i Malit të Zi në BE është gjithashtu në interesin kombëtar të Kroacisë.
Ai theksoi mundësinë e zgjidhjes së çështjes së kufirit përmes arbitrazhit ndërkombëtar ose gjykatës, sipas modelit që në të kaluarën e kanë zbatuar Kroacia dhe Sllovenia.
Duke folur për sundimin e ligjit, Milatoviq rikujtoi se në vitin 2024 Mali i Zi ishte i vetmi vend kandidat që përmbushi kriteret e përkohshme në këtë fushë, duke dëshmuar kështu përparimin e rëndësishëm të vendit në reforma.
Ai përfundoi se anëtarësimi i suksesshëm i Malit të Zi në BE i tejkalon kufijtë kombëtarë, pasi do të përbënte një sinjal të fuqishëm pozitiv për të gjitha vendet kandidate se politika e zgjerimit është ende e gjallë, si dhe një konfirmim të përkushtimit të Unionit për një Evropë të sigurt, stabile dhe të bashkuar.