Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë pas përjashtimit nga forumet e Partisë Socialiste qëndrimet e Elisa Spiropalit.
Gjatë një interviste në podkastin “Rishtazi” në Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë shqiptare tha se ajo tashmë është e lirë në vendimmarrjen e saj politike.
Pavarësisht mosdëshirës së kreut të qeverisë shqiptare për të mos komentuar çështje të brendshme, pyetjes nëse kundërshtitë e Spiropalit dëmtojnë masat që po merr qeveria edhe si kundërpërgjigje ndaj protestave, Rama tha se ato janë si era që e forcojnë më shumë pemën.
Kreu i qeverisë tha se nuk e ka refuzuar dialogun me protestuesit, por sipas tij, shqetësimet e qytetarëve duhen dalluar nga kërkesat politike të opozitës.
Rama argumentoi se qeveria ka reflektuar ndaj shqetësimeve të qytetarëve përmes paketës së re fiskale dhe masave ekonomike.
Sa i përket integrimit europian, kryeministri u shpreh optimist për përfitimet që sjell Plani i Rritjes, ndërsa për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 tha se kjo do të varet nga përmbushja e detyrave të vendit.
Në këtë intervistë kryeministri foli edhe për raportet me autoritetet dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilën e cilësoi një interes strategjik për Shqipërinë.
Rama foli edhe për marrëdhënien me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke mohuar se mes tyre ka përplasje apo qëndrime të kundërta.
Ai përdori një metaforë, duke thënë se janë në të njëjtën barrikadë, por me armë dhe dylbi të ndryshme./TvKlan/