Nga Vendi
21 May 2025
BDI denoncon avancimet etnike në DAP: “Ndarje e rrezikshme dhe diskriminim sistematik ndaj shqiptarëve”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj rezultateve të fundit të konkurseve të brendshme në Drejtorinë e të Ardhurave Publike (DAP), duke i cilësuar ato si dëshmi të qarta të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Sipas një kumtese për media të lëshuar nga BDI, në konkursin e brendshëm të datës 26 shkurt të këtij viti janë avancuar 26 punonjës maqedonas dhe asnjë shqiptar. Gjithashtu, në konkursin e datës 16 maj, nga gjithsej 41 avancime, 40 kanë shkuar për punonjës maqedonas, ndërsa vetëm një për një shqiptar.

“Këto shifra nuk janë rastësi, por rezultat i një përjashtimi të qëllimshëm të shqiptarëve nga administrata publike, gjë që bie ndesh me Kushtetutën, Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe parimet e përfaqësimit të drejtë,” thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI paralajmëron se kjo praktikë përfaqëson një kthim të rrezikshëm të politikave diskriminuese nga e kaluara, që sipas partisë, rrezikojnë seriozisht bashkëjetesën dhe karakterin multietnik të shtetit.

“E ftojmë Qeverinë të japë menjëherë sqarim se si është e mundur që në vitin 2025, në një shtet që synon anëtarësim në Bashkimin Evropian, të ndodhin këso pabarazish etnike pa ndjesi turpi dhe pa përgjegjësi,” vijon më tej kumtesa.

BDI deklaron se nuk do të qëndrojë duarkryq përballë, siç e quajnë, “degradimit institucional të shqiptarëve” dhe se do të ndërmarrë të gjitha masat politike dhe ligjore për të ndalur këtë dukuri.

“Apelojmë edhe tek bashkësia ndërkombëtare që me vëmendje të ndjekë këto prirje që çojnë drejt prishjes serioze të ekuilibrit ndëretnik në vend,” përfundon reagimi i BDI-së./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
Ish-presidenti Rugova me këngëtarët kosovarë, mes tyre edhe babai i Dua Lipës30 July 2021
Hapja solemne e evenimentit tradicional nderkombëtar 18 September 2020
Dhjetë viktima dhe 137 raste të reja me Covid-19, shërohen 131 pacientë22 July 2020