Nga Vendi
28 May 2025
BDI denoncon mungesën e shqiptarëve në punësimet e fundit në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj punësimeve të fundit në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, duke ngritur shqetësime serioze për përjashtim etnik në institucionet publike. Sipas një kumtese për media, nga 12 të punësuarit e rinj në këtë hidrocentral, asnjë nuk është shqiptar, megjithëse objekti ndodhet në rajonin e Gostivarit, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.

“Ky vendim paraqet një shembull të qartë të përjashtimit etnik në institucionet publike dhe shkon në kundërshtim me frymën e përfaqësimit të drejtë, për të cilën është ndërtuar modeli institucional i shtetit,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, ky rast nuk është i izoluar, por përfaqëson një prirje sistematike për të margjinalizuar qytetarët shqiptarë nga pjesëmarrja në institucionet shtetërore.

“Një qasje e tillë, përveçse dëmton ndjeshëm besimin qytetar, e rrezikon kohezionin ndëretnik dhe komprometon parimet themelore të funksionimit demokratik dhe shumëetnik të shtetit,” thekson BDI.

BDI ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Avokatit të Popullit për të vlerësuar situatën dhe për të konstatuar nëse janë shkelur të drejtat për përfaqësim të barabartë dhe mosdiskriminim.

“U drejtohemi gjithashtu përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vend, që me vëmendje të ndjekin këto zhvillime shqetësuese, të cilat bien ndesh me angazhimet për ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës, të drejtë dhe funksional,” përfundon kumtesa e BDI-së./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
8-vjeçarit i mohohet pranimi në dy shkolla për shkak të flokëve të tij të gjata21 July 2021
A janë dasmat shkaktari kryesor pse po rritet numri i infektimeve? Tregon vetë Filipçe 9 August 2021
Merr hov fushata e vaksinimit në Maqedoninë e Veriut13 September 2021