Sport
7 June 2025
FSHF publikon manual për tifozët para ndeshjes Shqipëri–Serbi: Monitorim me kamera dhe masa të rrepta sigurie

Pak orë përpara ndeshjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka publikuar një udhëzues të detajuar për sjelljen dhe rregullat që duhet të respektojnë tifozët gjatë qëndrimit në stadium.

Në postimin zyrtar, FSHF thekson se të gjithë tifozët që hyjnë në stadium duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi dhe biletë valide. Hyrja do të shoqërohet me kontrolle të detajuara nga ana e stjuardëve dhe nuk do të lejohet asnjë kalim i pengesave apo barrierave të sigurisë.

Në manualin e publikuar, veprimet e mëposhtme cilësohen si vepra penale:

  • Mbajtja e armëve të ftohta apo të zjarrit;

  • Posedimi apo ekspozimi i parrullave me përmbajtje urrejtjeje;

  • Përdorimi i biletave të falsifikuara;

  • Futja në fushën e lojës.

Gjithashtu, FSHF informon se gjatë gjithë ndeshjes, tifozët do të jenë të monitoruar nga kamerat e sigurisë, dhe çdo shkelje do të identifikohet në kohë reale në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe autoritetet përkatëse.

Ky komunikim zyrtar vjen në kuadër të masave të shtuara të sigurisë për një nga ndeshjet më të ndjeshme të vitit, ku pritet një pjesëmarrje e lartë e tifozëve në stadiumin “Air Albania”. Autoritetet kanë garantuar se janë marrë të gjitha masat për të siguruar një atmosferë sportive dhe të qetë./Almakpress



Të ndryshme
Më shumë
MASH: Do të ndahen 1570 bursa për nxënësit në arsim të dyfishtë16 June 2025
BDI: Kujdesemi për Gostivarin, 130 milionë denarë për kanalizim fekal dhe amosferik 2 September 2021
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit heton zjarrvënien pranë Ambasadës së Bullgarisë në Shkup19 June 2026