Nga Rajoni
27 October 2025
Diaspora nis votimin për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

Nga 27 tetori deri më 8 nëntor, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se të drejtë vote kanë vetëm 29.712 shtetas të Kosovës që ishin regjistruar me sukses për votim jashtë vendit për rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.

“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë”, u tha në njoftim.

Më 25 tetor, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve në 35 komuna, ndërkaq rezultatet ende nuk janë shpallur për Prishtinën, Junikun dhe Mamushën, pasi në këto komuna ka afat ligjor prej 48-orësh për parashtrimin e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ-ja u dërgon qytetarëve të diasporës përmes postës pakon me fletëvotim për kryetarin e komunës. Më pas, votuesi është i detyruar që atë pako me fletëvotim ta dërgojë në ndonjërën prej kutive postare të KQZ-së në 22 vende të botës dhe në Kosovë.

Rundi i balotazhit do të zhvillohet më 9 nëntor në 18 komuna dhe KQZ-ja veçse ka certifikuar listën e votuesve për votimet.

Komunat ku do të ketë balotazh janë Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

Sipas vendimit të KQZ-së, për këtë rund zgjedhjesh do të shtypen 1.158.015 fletëvotime – rreth 16 për qind më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë rund.

Për zgjedhjet e rundit të parë, të zhvilluara më 12 tetor, KQZ-ja kishte certifikuar listën me mbi dy milionë persona të drejtë vote, prej të cilëve 43.993 ishin votues të regjistruar nga jashtë Kosovës.

Megjithatë, në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe përbërja e re në asamble komunale u zgjodhën qysh në rundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Në rundin e parë, në Kosovë votuan 39.58 për qind e mbi 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote brenda vendit.



Të ndryshme
Më shumë
Krijohet aplikacioni që parashikon se sa gjatë do të jetoni22 June 2021
Nuk po bëhen rehat! Ndahen përsëri çifti i njohur22 June 2021
Mbyllet pakti/ Vota e shqiptarit Dritan Abazovic shkon për rrezimin e Gjukanovicit31 August 2020