Nga Vendi
8 February 2026
40 tonë marijuanë dhe mbi 1.300 shishe vaj kanabisi të sekuestruara, po hetohet lidhja me Serbinë

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në kuadër të një operacioni të gjerë policor janë sekuestruar gjithsej rreth 40 tonë marijuanë, biomasë dhe mbi 1.300 shishe me vaj kanabisi të prodhuar. Aksioni është intensifikuar pas sekuestrimit të pesë tonëve marijuanë në Serbi, për të cilat autoritetet serbe kanë deklaruar se dyshohet se kanë origjinën nga Maqedonia e Veriut.

 

Sipas MPB-së, në koordinim me Prokurorinë Publike, po zhvillohen ende verifikime për të përcaktuar nëse droga e sekuestruar në Serbi ka ardhur nga territori i Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të hetimeve, në kompaninë me seli në Shkup “Alfapharm” janë sekuestruar nëntë tonë marijuanë dhe mbi 1.300 shishe vaj kanabisi. Pronari i kompanisë është arrestuar në Serbi, ndërsa gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi të shumta në funksionim.

 

MPB bën të ditur se, për shkak se një nga të dyshuarit e ndaluar në Serbi është pjesë e strukturës pronësore të kësaj kompanie, janë kryer kontrolle dhe verifikime të detajuara mbi sasitë e gjetura dhe dokumentacionin përkatës. Komisioni nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në dokumentacionin e sekuestruar, ka konstatuar shkelje serioze dhe mospërputhje të mëdha mes sasive të lejuara dhe atyre reale që kompania posedonte, prodhonte dhe asgjësonte. Si rezultat, e gjithë sasia e marihuanës është larguar nga ambientet e subjektit juridik.

 

Kontrolle janë kryer edhe në disa kompani në Strumicë dhe në rajonin lindor të vendit, ku po ashtu janë konstatuar parregullsi dhe mosrespektim i sasive të lejuara, ndërsa droga e gjetur është konfiskuar.

 

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se, në koordinim me Prokurorinë Publike, ku është formuar një ekip i posaçëm për këtë dhe raste të ngjashme, do të vazhdojë me masa dhe aktivitete për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa detaje shtesë do të publikohen pas përfundimit të aksionit.



Të ndryshme
Më shumë
Protestë e Koalicionit për persona me nevoja të veçanta para Qeverisë së Maqedonisë 7 September 2021
ZYRTARE: Sergio Ramos largohet pas 16 vjetëve nga Real Madridi16 June 2021
Kreu I BFI-Së Shaqir Fetahu I Infektuar Me Kovid-1930 July 2020