Nga Vendi
10 February 2026
Meidani–Sali në Shkup: Korridori VIII dhe provimi i jurisprudencës në shqip në fokus të takimit

Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Meidani, është takuar sot në Shkup me Zëvendëskryeministrin e Parë, z. Bekim Sali, në një takim që u vlerësua si i frytshëm për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në një postim zyrtar, ambasadori Meidani bëri të ditur se në qendër të bisedës ishin marrëdhëniet Shqipëri–Maqedoni e Veriut, integrimi evropian, stabiliteti rajonal dhe projektet konkrete që lidhin ekonomitë dhe qytetarët e dy vendeve.

“Folëm për marrëdhëniet Shqipëri–Maqedoni e Veriut dhe për agjendën që i jep kuptim kësaj afërsie: integrimi evropian, stabiliteti rajonal dhe projekte që lidhin njerëz dhe ekonomi në terren”, shkroi Meidani.

Sipas tij, Korridori VIII ishte një nga temat kryesore të diskutimit, si një bosht strategjik për ndërlidhje, tregti dhe zhvillim, ndërsa u trajtuan edhe iniciativat për lehtësimin e lëvizjes, përfshirë modelin One Stop Shop.

Ambasadori Meidani theksoi gjithashtu mbështetjen dhe angazhimin e Zëvendëskryeministrit Sali për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.

“E falënderova z. Sali për gatishmërinë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj kërkese, në përputhje me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi”, theksoi ai.

Meidani u shpreh i bindur se ky bashkëpunim do të përkthehet në më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e të dy vendeve dhe për rajonin në tërësi.

Kujtojmë se ambasadori i Shqipërisë ka reaguar më herët ashpër dhe herë-herë në mënyrë ironike ndaj qëndrimit të faktorit shqiptar dhe institucioneve përkatëse, pas moslejimit nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut që provimi i jurisprudencës të zhvillohej në gjuhën shqipe.



Të ndryshme
Më shumë
Rrëfimi prekës i Granitit në BBV: Kam qenë tetë vjeçar kur janë ndarë prindërit28 October 2021
Brenda çantës mbretërore, çfarë mban gjithnjë me vete Mbretëresha Elizabeth10 August 2021
Tension dhe përplasje në eventin që i bëri bashkë Noizyn dhe Meriton Mjekiqin13 September 2021