Nga Vendi
27 February 2026
Begaj takon Mickoskin në Shkup, fokus në ekonomi, energji dhe integrim europian

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Republika e Maqedonisë së Veriut, u prit në takim edhe nga kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Gjatë bisedimeve u diskutua për perspektivat e thellimit të bashkëpunimit dypalësh, për rritjen e koordinimit rajonal dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, ndërlidhjes energjetike dhe projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve.

Në takim u theksua rëndësia e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta me odat ekonomike, intensifikimi i vizitave zyrtare dhe nxitja e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si mekanizma praktikë për forcimin e marrëdhënieve dhe për rritjen e investimeve.

Po ashtu, u vlerësua roli i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut si komunitet shtetformues dhe si urë lidhëse e qëndrueshme me Shqipërinë. Ata u cilësuan faktor kyç në orientimin euroatlantik të vendit dhe kontribuues të rëndësishëm në stabilitetin politik, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën europiane.

Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të avancuar partneritetin strategjik mes dy vendeve, me theks në projekte konkrete dhe në një vizion të qartë për të ardhmen europiane të rajonit.



Të ndryshme
Më shumë
Vrau gruan dhe tentoi të arratisej – Arrestohet 38 vjeçari nga policia në “Tabanoc” 3 May 2025
Pendarovski: Për momentin nuk ka ndonjë indikator se zjarri është shkaktuar me qëllim 9 September 2021
Serbia lëshon urdhërarrest për gazetarin shqiptar 7 October 2025