Nga Rajoni
28 February 2026
Kosovë, dilema për presidentin e ri, Osmani kërkon mandat të dytë ndërsa shtohen pikëpyetjet politike

Kosova pritet që të mërkurën e ardhshme të ketë presidentin e ri, në të kundërt vendi mund të përballet me zgjedhje të reja. Megjithëse afati kushtetues po afrohet, ende nuk ka qartësi të plotë rreth emrit që do të marrë drejtimin e shtetit.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se synon një mandat të dytë, duke theksuar nevojën për të vazhduar, sipas saj, punët e mira të nisura gjatë qeverisjes së saj. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike sugjerojnë se mbështetja për të nuk është aq e konsoliduar sa pesë vite më parë.

Në veçanti, raportet me Lëvizja Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, duken më të rezervuara krahasuar me periudhën kur kjo forcë politike ishte mbështetëse e fuqishme e Osmanit. Në javët e fundit, dy liderët nuk janë parë shpesh në aktivitete të përbashkëta publike, çka ka shtuar spekulimet për qëndrimet aktuale politike.

Përjashtim bëri ceremonia e sotme e mbajtur nga KFOR në bazën ushtarake Camp Bondsteel, ku u zhvillua ndërrimi i komandës. Në këtë aktivitet morën pjesë si Osmani ashtu edhe Kurti, ndërsa fotografitë e publikuara nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tregojnë praninë e përbashkët të tyre në ceremoni.

Në një klimë politike të ngarkuar dhe me kohë të kufizuar për arritjen e konsensusit, mbetet për t’u parë nëse partitë do të arrijnë marrëveshje për presidentin e ri apo vendi do të hyjë në një tjetër cikël zgjedhor.



Të ndryshme
Më shumë
Zaev dhe Mickoski zbulojnë se si mundë te krijojn Qeveri të pakicës, edhe pa partitë shqiptare30 June 2020
Mickoski merr pjesë në Samit, por nuk përmend Tiranën – komentohet nga ndjekësit16 May 2025
Sindikata e Postave të Maqedonisë: Të punësuarve u rrezikohen vendet e punës 3 September 2020