Nga Vendi
2 March 2026
Ali Ahmeti: Solidaritet i palëkundur me SHBA-në dhe rendin ndërkombëtar

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka shprehur qëndrimin e prerë të subjektit që drejton në mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të përpjekjeve për ruajtjen e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare.

Ahmeti theksoi se në kohë sfidash globale, pozicioni i tyre është i qartë dhe i palëkundur, solidaritet i plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me çdo angazhim për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale.

Sipas tij, aleanca me SHBA-në nuk është thjesht orientim diplomatik, por përcaktim strategjik dhe vleror. Ai nënvizoi se kjo zgjedhje përfaqëson rreshtimin në anën e demokracisë, lirive themelore, shtetit të së drejtës dhe përgjegjësisë ndërkombëtare. Ahmeti kujtoi se shqiptarët e dinë mirë rëndësinë e mbështetjes amerikane në momentet kyçe të historisë së tyre, prandaj, siç u shpreh ai, sot qëndrojnë përkrah partnerit më të madh strategjik.

Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, Ahmeti kritikoi sulmet dhe aktet destabilizuese të Irani, të cilat, sipas tij, cenojnë sigurinë e vendeve të Gjirit dhe kërcënojnë arkitekturën e brishtë të paqes në rajon. Ai vlerësoi se veprime të tilla nuk i shërbejnë zhvillimit, bashkëjetesës dhe as aspiratave legjitime të popujve për prosperitet, duke shtuar se çdo regjim që zgjedh konfrontimin mbi bashkëpunimin dhe eksportin e krizave mbi dialogun, e vendos veten në kundërshtim me frymën e kohës.

Ahmeti theksoi se siguria në Gjirin Persik dhe në Lindjen e Mesme përbën interes global, duke përmendur lirinë e qarkullimit, stabilitetin energjetik, luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar si përgjegjësi të përbashkëta. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara si të pazëvendësueshëm në garantimin e ekuilibrave dhe si faktor stabiliteti.

Në përmbyllje, kreu i BDI-së ritheksoi se shqiptarët kanë zgjedhur pa ekuivoke rrugën perëndimore, duke u konsideruar pjesë e komunitetit euroatlantik dhe kontribuues aktiv në paqen dhe sigurinë kolektive. Mbështetja për SHBA-në, sipas tij, është mbështetje për një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më të lirë.



Të ndryshme
Më shumë
Paradoks në kujdesin shëndetësor – spitalet nuk kanë pajisje, a pajisjet e shtrenjta nuk përdoren 8 May 2025
Sot një viktimë dhe 5 raste të reja me COVID-19 në Maqedoni 1 July 2021
Vuçiq: Amerikanët na dëgjuan, e hoqën pikën ku kërkonin njohjen e Kosovës 3 September 2020