Nga Vendi
3 March 2026
Mark Rutte viziton kazermën “Ilinden”, vlerëson kontributin e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoninë e Veriut, realizoi një vizitë në kazermën “Ilinden” në Shkup, ku u njoh nga afër me kapacitetet dhe aktivitetet e Ushtrisë së vendit.

Shefi i NATO-s u prit nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Llafçiski, si dhe nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski. Gjatë qëndrimit në kazermë, Rutte iu drejtua pjesëtarëve të Ushtrisë, duke theksuar rolin dhe angazhimin e tyre në kuadër të Aleancës Veriatlantike.

“Ju me të vërtetë veproni mbi kapacitetet tuaja kur bëhet fjalë për Forcat e Përparuara Tokësore”, u shpreh Rutte, duke shtuar se “me këtë kujdeseni që vërtet të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Aleancës”.

Vizita përfshiu edhe inspektimin e njësive të rreshtuara, si dhe prezantimin e pajisjeve dhe mjeteve që përdoren nga Grupi i Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe njësitë e deklaruara të Batalionit të Forcave Speciale.

Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen dhe kontributin në forcimin e bashkëpunimit ushtarak brenda NATO-s, gjeneral-major Llafçiski i dorëzoi Rutte-s Pllaketën e Madhe të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu gjeneralë dhe përfaqësues të lartë të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke e kthyer vizitën në një moment simbolik të bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik me Aleancën.



Të ndryshme
Më shumë
BDI: Çairi – Simbol i Krimit Urban dhe Dështimit Institucional29 May 2025
Arsim Dalipi: Çdo vote ka vlerë dhe domethënie.19 October 2025
QMK: Tre zjarre aktive në territorin e Maqedonisë së Veriut 6 July 2025