Nga Vendi
17 March 2026
Qeveria pa masa konkrete për uljen e çmimeve të karburanteve, opozita rrit presionin

Pavarësisht rritjes së dytë të çmimeve të karburanteve, Qeveria ende nuk ka prezantuar masa konkrete për lehtësimin e barrës financiare të qytetarëve. Nga ekzekutivi bëjnë të ditur se po monitorojnë situatën dhe po shqyrtojnë mundësinë e uljes së TVSH-së nga 18% në 10%, por pa dhënë një afat të saktë për zbatimin e kësaj mase.

“Qeveria po monitoron në mënyrë aktive situatën me çmimet e karburanteve dhe në periudhën e ardhshme ndër alternativat në shqyrtim është ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve”, thuhet në reagimin zyrtar.

Nga ana tjetër, opozita ka ashpërsuar kritikat. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për përballimin e krizës dhe paralajmëroi dorëzimin e një pakete ligjore në Kuvend, që përfshin uljen e TVSH-së për karburantet në 5%, uljen e akcizës, heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe përgjysmimin e tarifave rrugore.

Kritika të ngjashme vijnë edhe nga BDI, ku theksohet se mungesa e masave mund të çojë në rritje shtesë të çmimeve. “Nëse masat nuk zbatohen urgjentisht, çmimet mund të rriten me më shumë se 10%, duke rënduar seriozisht buxhetet familjare”, deklaroi Albana Mustafa nga kjo parti, duke kërkuar edhe përgjegjësi institucionale për menaxhimin e krizës.

Ndërkohë, çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rritje të re, ku benzina varion nga 86.5 deri në 88.5 denarë për litër, ndërsa nafta ka arritur në 92 denarë për litër.



Të ndryshme
Më shumë
QMK: Shuhet plotësisht zjarri në deponinë në Haraçinë, mbetet aktiv vetëm zjarri në Dollnen26 September 2025
Filipçe: Nuk do të ketë drejtësi për Koçanin, kjo qeveri po mbron zyrtarët e saj29 September 2025
Adoleshentët ‘kallen’ pas Taynës në Gostivar, mbushet salla plot 4 August 2021