Nga Rajoni
24 March 2026
Arrestohet një ish-pjesëtar i forcave serbe për krime lufte në Kosovë

Autoritetet kosovare kanë arrestuar një ish-pjesëtar të forcave serbe, i dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999. Prokuroria Speciale bëri të ditura vetëm inicialet e tij, Z.S., ndërsa njoftoi se arrestimi u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

Sipas njoftimit, “I pandehuri Z.S., si pjesë e një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës kohore 1998-1999.” Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit, pa dhënë detaje shtesë.

Ky arrestim vjen pak ditë pas dënimit nga Gjykata në Prishtinë të dy ish-pjesëtarëve të forcave serbe, ku Zoran Kostiq u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Dragan Miloviq me 7 vjet burgim për krime lufte gjatë të njëjtës periudhë.

Lufta në Kosovë la mbi 13 mijë civilë të vrarë, shumica shqiptarë, ndërsa mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur. Vitet e fundit, autoritetet kanë intensifikuar hetimet dhe ngritjen e aktakuzave për krime lufte, të cilat fillimisht u trajtuan nga UNMIK dhe më pas nga EULEX, përpara se të kalonin në duart e institucioneve vendore./rel



Të ndryshme
Më shumë
Regjistrohet një parregullsi zgjedhore në Manastir15 July 2020
Topallov: Gjithë historia në Maqedoni bazohet në gënjeshtra21 June 2021
Për katër orë 131 gjoba për motoçiklistët në Maqedoni 7 July 2021