Sot mbushen 27 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Sulmet nisën më 24 mars 1999, në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para ndaj pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, i cili atë natë deklaroi: “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes.”
Fushata ajrore vazhdoi deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës dhe më 11 qershor forcat serbe filluan të lëshonin territorin e Kosovës. Operacioni i NATO-s, ndërhyrja e parë ushtarake e aleancës që nga themelimi i saj, kishte për qëllim ndaljen e dhunës dhe spastrimit etnik, duke shënuar një kthesë historike në zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon.
Gjatë këtij konflikti, mijëra civilë shqiptarë u dëbuan ose u vranë, ndërsa ndërhyrja e NATO-s u pasua me vendosjen e administratës ndërkombëtare dhe praninë e forcave paqeruajtëse./KP