Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Paris, ku u prit në Pallatin Elize nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Takimi u shoqërua edhe me një drekë pune, ku u diskutuan çështje kyçe që lidhen me integrimin evropian dhe sigurinë rajonale.
Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri në krye të qeverisë, ndërsa kryeministri kosovar shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.
Në takim morën pjesë edhe Ministri i Deleguar për Evropën, Benjamin Haddad, ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, si dhe konsulli i përgjithshëm në Strasburg, Lulzim Hiseni.
Sipas njoftimit zyrtar, u vlerësua roli i NATO dhe misionit të KFOR në ruajtjen e stabilitetit në Kosovë, si dhe angazhimi i Bashkimit Evropian në rajon.
“Në takim u diskutua për integrimet dhe sigurinë në Evropë. Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, thuhet në komunikatë, ku theksohet edhe progresi në reformat e vendit, me përparim në 35 nga 38 fusha të vlerësuara nga raporti i fundit i BE-së.
Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e sigurisë kufitare, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe dialogun me Serbinë.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe bashkëpunimi ekonomik dhe investimet në arsim, si dhe organizimi i forumeve të përbashkëta të biznesit Kosovë–Francë. Në këtë kuadër u përmendën edhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë, si një mundësi për angazhim më të madh të Francës.
Takimi konfirmoi përkushtimin e dy vendeve për thellimin e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit në kuadër evropian.