Nga Vendi
31 March 2026
Mickoski në Budapest forcon aleancën me Orban, fokus ekonomi dhe integrim evropian

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë vizitës zyrtare në Budapest, zhvilloi një takim me homologun e tij hungarez, Viktor Orbán, ku u theksua forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, dy kryeministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, rritjen e investimeve dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare, si dhe për projekte konkrete me interes të përbashkët. Fokus i veçantë iu kushtua edhe infrastrukturës, sigurisë energjetike dhe bashkëpunimit rajonal, në një kohë sfidash globale.

Mickoski vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën evropiane të vendit të tij, duke theksuar se procesi i integrimit duhet të bazohet në parime dhe meritë. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vlerave të përbashkëta, si familja, tradita dhe identiteti kombëtar, si bazë për shoqëri të qëndrueshme.

Gjatë qëndrimit në Budapest, Mickoski mbajti fjalim edhe në Mathias Corvinus Collegium, ku theksoi se “shtetet e forta ndërtohen mbi politika të qarta, institucione stabile dhe mbrojtje të përpiktë të interesave kombëtare”. Ai e cilësoi Hungarinë si shembull të një shteti me vizion të qartë dhe lidership të fortë.

Në të njëjtën linjë, kryeministri vlerësoi rolin e Orbanit si lider që merr vendime në interes të vendit të tij dhe kontribuon në stabilitetin rajonal dhe evropian.

Vizita u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale, me theks në bashkëpunimin konkret dhe ndërtimin e një aleance të qëndrueshme mes dy vendeve.



Të ndryshme
Më shumë
Luana Vjollca do të bëhet imazh i firmës së njohur ndërkombëtare31 August 2020
Moti sot në Maqedoninë e Veriut19 August 2021
Abdixhiku–Osmani: Mbështetje e plotë e LDK-së për iniciativën amerikane të Paqes dhe forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës 9 February 2026