Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i është drejtuar me një letër të hapur popullit amerikan, ku ka shpjeguar arsyet historike të mosbesimit të Teheranit ndaj Uashingtonit.
Në mesazhin e tij, ai thekson se një moment kyç në përkeqësimin e marrëdhënieve ishte grushti i shtetit i vitit 1953, të cilin e cilësoi si “një ndërhyrje të paligjshme amerikane që synonte parandalimin e shtetëzimit të burimeve të Iranit”.
Sipas tij, marrëdhëniet në fillim nuk kanë qenë armiqësore, duke shtuar se “ndërveprimet e hershme midis popullit iranian dhe amerikan nuk u dëmtuan nga armiqësia ose tensioni”. Megjithatë, ai thekson se mosbesimi u thellua për shkak të mbështetjes së SHBA-së për regjimin e Shahut, përfshirjes në konfliktet rajonale dhe vendosjes së sanksioneve që i cilësoi si “çnjerëzore”.
Presidenti iranian bëri dallim mes qeverisë amerikane dhe qytetarëve të saj, duke nënvizuar se “populli iranian nuk ushqen armiqësi ndaj kombeve të tjera, përfshirë njerëzit e Amerikës”, ndërsa reagimet e Iranit, sipas tij, bazohen në të drejtën e vetëmbrojtjes dhe jo në agresion.
Letra u publikua nga media shtetërore Press TV, ku Pezeshkian u bëri thirrje amerikanëve të “shikojnë përtej retorikës politike” dhe të rishqyrtojnë perceptimin e tyre për Iranin.