Nga Vendi
5 April 2026
Filipçe: Qeveria po vonon masat, qytetarët përballen vetëm me rritjen e çmimeve

Shkup – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski për reagim të vonuar ndaj situatës ekonomike në vend, duke theksuar se qytetarët po përballen të vetëm me rritjen e çmimeve.

Sipas Filipçes, masat që opozita i ka propozuar prej javësh po shqyrtohen vetëm tani nga ekzekutivi, ndonëse, siç u shpreh ai, duhej të ishin zbatuar më herët për të shmangur efektin zinxhir të shtrenjtimit, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburanteve.

Ai vlerësoi se çmimet e produkteve bazë ushqimore dhe kostot e jetesës kanë pësuar rritje të ndjeshme, ndërsa shtoi se paga minimale mbetet e pamjaftueshme për të përballuar këtë situatë.

Filipçe paralajmëroi se kriza ekonomike mund të thellohet më tej, duke përmendur edhe rrezikun për mungesë të karburanteve, bazuar në të dhënat e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë për rritjen globale të çmimeve.

Ai i bëri thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa urgjente, si ulja e TVSH-së dhe akcizave për karburantet, si dhe rritja e rezervave shtetërore të naftës, për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve.



Të ndryshme
Më shumë
Carovska: Viti shkollor përfundoi me sukses, për vitin e ri tre skenarë janë të mundshëm29 June 2021
Liderët shqiptarë në rajon përkujtojnë Dr. Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta21 January 2026
Tetovë/ Asnjë i vdekur nga Covid 19 gjatë 24 orëve të fundit13 September 2021