Nga Rajoni
17 April 2026
35 zyrtarë në Kosovë përballen me gjoba për mosdeklarim pasurie, 5 raste shkojnë në kallëzim penal

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj dhjetëra zyrtarëve publikë për mosdeklarim në kohë të pasurisë, përfshirë gjoba dhe kallëzime penale për rastet më të rënda.

Sipas drejtorit të institucionit, Yll Buleshkaj, gjithsej 35 zyrtarë nga institucione të ndryshme pritet të gjobiten, ndërsa ndaj pesë prej tyre do të dorëzohen kallëzime penale për mosrespektim të detyrimeve ligjore.

Në mesin e tyre figurojnë hetues, një komandant policie, zyrtarë doganorë, mjekë, profesorë dhe punonjës të institucioneve të tjera publike. Tre prej rasteve lidhen me mosdeklarim të plotë të pasurisë, ndërsa dy të tjera me deklarim jashtë afatit ligjor.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit bën të ditur se nga mbi 10 mijë zyrtarë të obliguar për deklarim, shumica dërrmuese e kanë përmbushur këtë detyrim brenda afatit ligjor, i cili përfundon çdo vit më 31 mars.

Sipas ligjit në fuqi, mosdeklarimi i pasurisë mund të dënohet me gjobë deri në 500 euro, ndërsa Kodi Penal parasheh edhe dënime me burgim deri në tre vjet në rastet më të rënda.

Ekspertë të fushës së drejtësisë theksojnë se deklarimi i pasurisë mbetet një instrument kyç për luftën kundër korrupsionit, por sipas tyre zbatimi praktik dhe ndëshkimet mbeten ende të kufizuara.

Burimi: Radio Evropa e Lirë



Të ndryshme
Më shumë
Kontroll në klubet e natës në Tetovës dhe Gostivarit, ndalohen 7 persona për keqpërdorim të qëndrimit turistik10 July 2025
81 vjeçarja që shkruan poezi për Adem Jasharin, Albin Kurtin e mërgimtarët10 August 2021
Vetëm 23 vjeçe, Tayna po i ndërton prindërve një shtëpi të re30 July 2020