Nga Vendi
18 April 2026
Defekt në mamografinë e Shtipit, shërbimi zhvendoset në Koçan për gratë e rajonit lindor

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se për shkak të një defekti në aparatin e mamografisë në Spitalin Klinik të Shtipit, është organizuar një zgjidhje e përkohshme për të siguruar vazhdimësinë e ekzaminimeve për gratë nga rajoni lindor.

Sipas marrëveshjes mes Spitalit Klinik të Shtipit dhe Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit, mamografitë do të realizohen në Koçan, ndërsa interpretimi i rezultateve do të bëhet nga ekipi mjekësor në Shtip. Po ashtu, rastet që kërkojnë ekzaminim shtesë me eko të gjirit do të referohen në Shtip.

Drejtori i Spitalit Klinik të Shtipit, Vladko Zahariev, tha se po bëhen përpjekje për sigurimin e një aparati të ri, pasi pajisja ekzistuese nuk mund të riparohet. Ndërkohë, drejtoresha e Spitalit të Koçanit, Katerina Mirçovska, theksoi se janë shtuar terminet dhe është vendosur një ndërrim i dytë për të përballuar kërkesat.

Sipas institucioneve shëndetësore, rreth 100 paciente në muaj pritet të përfitojnë nga ky organizim i ri, ndërsa për qytetet e tjera të rajonit janë parashikuar ditë të veçanta për kontrolle.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u shpreh se institucionet janë mobilizuar për të siguruar shërbim të pandërprerë, duke e cilësuar këtë zgjidhje si të përkohshme dhe të domosdoshme në kushte emergjente.



Të ndryshme
Më shumë
Lorik Cana reagon me një mesazh të fortë për studentët: “Janë e ardhmja e vendit”19 October 2026
Arsim Dalipi ushtron të drejtën e votës në Strugë: “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen” 2 November 2025
Maqedoni, pas 2 muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, nxënësit mësojnë ende me libra të dëmtuar29 October 2021