Nga Vendi
13 May 2026
Pirro Vengu: Studentët shqiptarë në Tetovë po mbrojnë dinjitetin dhe të drejtat europiane

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar angazhimin e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar takimin me ta si një moment që rikthen besimin tek e ardhmja, shkruan KOHA⁠.

Vengu ka theksuar se studentët shqiptarë nga tre universitetet e Tetovës po dëshmojnë dinjitet, kurajë dhe qytetari përmes reagimeve të tyre lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore.

“Takimi me studentët shqiptarë të tre universiteteve të Tetovës ishte një moment që të rikthen besimin tek e ardhmja. Plot dinjitet, kurajë dhe qytetari ata ngrenë zërin prej muajsh, jo vetëm për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke e kthyer kauzën e tyre në një çështje të madhe të drejtash europiane për gjithë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, është shprehur Vengu. Ai ka nënvizuar se kërkesa e studentëve tashmë ka kaluar kufijtë e një çështjeje teknike dhe është shndërruar në një kauzë që lidhet me standardet europiane dhe respektimin e të drejtave themelore.

“Një brez që di të mbrojë identitetin dhe dinjitetin e vet me maturi e vizion meriton gjithë mbështetjen tonë”, ka deklaruar deputeti shqiptar.

Reagimi i Vengut vjen në kohën kur studentët shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protestën e dytë lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore.



Të ndryshme
Më shumë
MSH-Maqedoni: Po hapet një faqe e re në zhvillimin e mjekësisë së transplantimit me fillimin e suksesshëm të transplantimeve të kornesë14 November 2025
Kreu i OBSH: Pandemia e koronavirusit mund të përfundojë brenda dy viteve22 August 2020
Zvicra bëhen gati për vaksinimin e personave mbi 12 vjeç23 June 2021