Nga Vendi
19 June 2026
Fillojnë punimet për linjën e re të ujësjellësit në Gostivar, pritet zgjidhje për problemin shumëvjeçar të Debreshit

Komuna e Gostivarit ka njoftuar nisjen e punimeve për ndërtimin e një linje të re të ujësjellësit, hap që pritet të zgjidhë problemin shumëvjeçar me furnizimin e ujit të pijshëm në fshatin Debresh.

Sipas njoftimit zyrtar, banorët e këtij fshati kanë përballur vështirësi me ujin e pijshëm për disa dekada, ndërsa autoritetet lokale theksojnë se tashmë janë duke ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e këtij problemi.

Gjatë muajve të fundit, përfaqësues të banorëve dhe të shoqatave lokale janë takuar tri herë me kryetarin e Komunës dhe me ekspertë të Ndërmarrjes Komunale, takime në të cilat, sipas komunës, "janë shqyrtuar dhe dakordësuar zgjidhje konkrete" për tejkalimin e situatës.

Punimet e nisura tashmë kanë për qëllim ndërtimin e një linje që do të rrisë ndjeshëm kapacitetin e ujit të pijshëm, investim që pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në furnizimin e banorëve të Debreshit. Sipas afateve të dhëna nga komuna, punimet do të përfundojnë brenda një muaji, pas së cilës pritet të sigurohet një furnizim më i qëndrueshëm dhe më cilësor me ujë.

Paralelisht, është marrë vendim edhe për sanimin dhe përmirësimin e burimit të ujit që gjendet mbi fshatin Debresh, ndërhyrje që, sipas komunës, do të ndikojë "dukshëm" në rritjen e kapaciteteve dhe në përmirësimin e përgjithshëm të furnizimit me ujë në zonë.

Nga komuna u bëhet thirrje banorëve për mirëkuptim dhe durim deri në përfundimin e punimeve, duke theksuar se kanë "treguar vullnet dhe përkushtim" për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar.

Sipas Komunës së Gostivarit, prioritet mbetet sigurimi i zgjidhjeve afatgjate dhe të qëndrueshme për furnizimin me ujë të pijshëm për të gjithë banorët.



Të ndryshme
Më shumë
Rrëfime shokuese nga tragjedia në Tetovë: Djali futet në mes të zjarrit shpëton babain, por jo edhe nënën e tij10 September 2021
Nikollovski: Do të ketë ligj për prejardhjen e pasurisë27 August 2021
15 gjoba për ushqim të pasigurt pranë shkollave16 November 2025