Nga Vendi
3 July 2026
Tetova në qendër të debatit, BDI kërkon të publikohet e gjithë korrespondenca me Gjykatën Kushtetuese

Bashkimi Demokratik për Integrim në Komunën e Tetovës ka dorëzuar kërkesë për qasje të lirë në informata me karakter publik, duke kërkuar publikimin e të gjithë korrespondencës mes Komunës së Tetovës dhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën që çoi në shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve dhe sheshit në Tetovë. Sipas BDI-së, vetë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Komuna e Tetovës nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar në katër raste brenda një viti, ndërsa në tri raste nuk ka pasur përgjigje as nga Qeveria. Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, Bejza Abdiu, deklaroi se neni 73 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale përcakton qartë se, nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve, pëlqimi konsiderohet i dhënë dhe akti i komunës pranohet siç është propozuar. Abdiu theksoi se, nëse Komuna do ta kishte dorëzuar provën se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, mungesa e përgjigjes nuk do të përbënte pengesë juridike. Ajo akuzoi se mosdorëzimi i këtij dokumenti ngre dyshime serioze për, siç u shpreh, "një pazar politik mes Qeverisë dhe pushtetit lokal në Tetovë", duke shtuar se kryetari i komunës, Bilall Kasami, mban përgjegjësi politike për pasojat që çuan në shfuqizimin e vendimit të Këshillit Komunal të vitit 2007. Nga BDI kërkojnë që institucionet t'i përgjigjen kërkesës brenda afatit të paraparë me ligj.



Të ndryshme
Më shumë
Enca: Sot do të pranoj të gjitha propozimet për martesë 6 September 2021
Filipçe: Moskujdesi i qytetarëve mund të rikthejë izolimin12 July 2020
Atdheu i ‘Përputhen’ takohet me Morena Tarakun në Turqi 7 July 2021