Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar organizimin e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, një ngjarje e re kulturore që do të zhvillohet nga 23 deri më 26 korrik në Suli An dhe Kurshumli An, në Shkup. Mexhiti theksoi se kultura është themeli i ruajtjes së identitetit të një populli. “Identiteti i një populli ruhet, forcohet dhe përcillet me kulturën. Me artin. Me traditat që krijon dhe ua lë brezave që vijnë”, u shpreh ai. Sipas tij, pas Panairit të Librit, Shkupi dhe Çairi pasurohen me një tjetër aktivitet të rëndësishëm kulturor, ndërsa festivali synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe ta vendosë kryeqytetin më fuqishëm në hartën kulturore të rajonit. Festivali do të drejtohet artistikisht nga Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti, duke sjellë në skenë artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, në një ndërthurje të muzikës klasike me trashëgiminë e Çarshisë së Vjetër. “Ambicia jonë nuk është të organizojmë vetëm një festival. Ambicia jonë është të krijojmë një traditë. Të ndërtojmë një institucion kulturor që do të rritet me çdo edicion, do të tërheqë artistë nga e gjithë bota dhe do ta bëjë Shkupin një pikëtakim të rëndësishëm të muzikës klasike në rajon. Sepse investimi në kulturë është investim në identitet. Dhe identiteti është pasuria më e madhe që një qytet mund t’u lërë brezave”, deklaroi Mexhiti.