Nga Rajoni
24 July 2026
Dënohet me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë Shpend Ahmeti

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke e dënuar me dy vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, për mosraportim të pasurisë. Sipas aktgjykimit, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së vendimit, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit. Rasti lidhet me mosdeklarimin e mjeteve financiare në vlerë totale prej 172 mijë e 600 eurosh. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, bëhet fjalë për 118 mijë e 200 euro të depozituara në llogarinë personale të Ahmetit dhe 54 mijë e 400 euro të pranuara në llogaritë e nënës së tij. Gjatë procesit gjyqësor, Ahmeti ishte deklaruar i pafajshëm dhe kishte thënë se paratë për të cilat akuzohej se nuk i kishte deklaruar ishin ndihmë familjare. “Në asnjë mënyrë nuk ka qenë qëllim fshehja e këtyre mjeteve”, kishte deklaruar ai në gjykatë. Aktgjykimi është shpallur më 24 korrik 2026 nga Gjykata Themelore në Prishtinë.



Të ndryshme
Më shumë
Ema Andrea zbulon se ka folur me Monika Lubonjën pas skandalit: Është rëndë bajagi, më shumë se e gjunjëzuar 4 October 2026
Daut Haradinaj: Deklarata e Kuvendit merr kuptim vetëm nëse këtë javë zhbëhet Specialja28 September 2026
Petkoviq sqaron se çfarë do të dialogojnë nesër me palën kosovare në Bruksel20 October 2021