Nga Vendi
28 July 2026
Ish-zyrtari i policisë dënohet me 5 vjet burg për grabitjen e argjendarisë në Gostivar

Gjykata Themelore e Gostivarit ka dënuar me pesë vjet burg ish-zyrtarin policor Ardijan Pinjolli, 38 vjeç nga Kërçova, në lidhje me grabitjen e bujshme të një argjendarie në Gostivar, e ndodhur në tetor të vitit të kaluar. Sipas vendimit të gjykatës, Pinjolli dyshohet se ka përdorur automjetin zyrtar “Chevrolet Spark” për t’u krijuar lehtësi personave të dyshuar për grabitjen, duke çaktivizuar radion e policisë dhe duke lehtësuar kalimin e automjeteve të tjera të përfshira në ngjarje. Mbrojtja e të dënuarit ka kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se gjatë procesit nuk janë marrë në konsideratë dëshmi që, sipas saj, dëshmojnë pafajësinë e Pinjollit. Edhe Avokati i Popullit ka deklaruar se ka evidentuar rrethana që, sipas tij, ngrenë dyshime serioze për respektimin e standardeve të një procesi të rregullt dhe të drejtë. Pinjolli dhe disa persona të tjerë, pjesëtarë të policisë në Kërçovë, ishin arrestuar rreth dy javë pas grabitjes. Ndërkohë, një tjetër pjesëtar i policisë, i cili kishte pranuar fajin, ishte dënuar më herët me tre vjet e gjysmë burg. Ngjarja ndodhi në tetor, kur persona të maskuar bllokuan rrugën pranë argjendarisë dhe morën rreth 18 kilogramë ar, me vlerë të përllogaritur rreth 1.8 milionë euro.



Të ndryshme
Më shumë
“Eksperienca është shuma e disfatave të pësuara në jetë”, Ilir Kulla publikon foto nga takimi me Romano Prodin në Baku15 March 2026
Nuk pritet rikonstruim i Qeverisë, vetëm zëvendësim i ministrave të Aleancës për Shqiptarët13 May 2025
Masat antiCovid për hyrje në Greqi vazhdohen edhe për një javë24 September 2021