Nga Vendi
31 July 2026
Ahmeti: Kam informacion se në Gjykatën Kushtetuese ka iniciativë për hapjen e çështjeve të Hagës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka informacione për një iniciativë që, sipas tij, ndodhet në Gjykatën Kushtetuese dhe që lidhet me rihapjen e çështjeve të Tribunalit të Hagës dhe me pretendime për përgjegjësi ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Duke folur për KohaCast, Ahmeti tha se kjo çështje nuk e frikëson, por paralajmëroi se rikthimi i temave të së kaluarës mund të hapë plagë të vjetra dhe të krijojë tensione të reja. “Unë kisha informacion që iniciativa është në Gjykatën Kushtetuese dhe akoma është në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Ahmeti. Sipas tij, bëhet fjalë për një iniciativë që synon hapjen e çështjeve të lidhura me Tribunalin e Hagës dhe ngritjen e pretendimeve për krime lufte ndaj UÇK-së. “Unë kam informacion që ka iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për të hapë çështjet e Tribunalit të Hagës për t’u paditur Ushtria Çlirimtare Kombëtare në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte”, tha ai. Ahmeti theksoi se nuk ndihet i frikësuar nga një zhvillim i tillë, por shprehu shqetësimin për pasojat që mund të ketë rihapja e çështjeve të ndjeshme të së kaluarës. “Dhe kjo jo që mua më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra, dhimbja është më e madhe sesa kur hapet një plagë e re”, u shpreh kryetari i BDI-së. Ai e lidhi këtë çështje edhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke argumentuar se shumë prej këtyre çështjeve janë konsideruar të mbyllura prej më shumë se dy dekadash. “Janë çështje që i kemi mbyllur tash 20 e sa vite”, tha Ahmeti, duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit, sipas tij, është një marrëveshje ndërkombëtare. Deklarata e Ahmetit vjen në një kohë kur çështjet që lidhen me konfliktin e vitit 2001 dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit vazhdojnë të mbeten tema të ndjeshme në skenën politike të Maqedonisë së Veriut. Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka konfirmim zyrtar nga Gjykata Kushtetuese për një iniciativë të tillë, ndërsa pretendimi i mësipërm mbetet deklaratë e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhënë për KohaCast.



Të ndryshme
Më shumë
Shqipëria nga 1 shtatori me masa të reja antiCOVID-1930 August 2021
Zgjedhjet lokale, partitë politike vazhdojnë aktivitetet në teren 9 October 2025
Vrau gruan dhe tentoi të arratisej – Arrestohet 38 vjeçari nga policia në “Tabanoc” 3 May 2025