Nga Rajoni
6 August 2026
Meliza Haradinaj kritikon qasjen e Edi Ramës ndaj Serbisë dhe hapjes së Konsullatës në Shkodër

Meliza Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj politikës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në raport me Serbinë, duke e akuzuar se prej vitesh ka minimizuar shqetësimet për çështje që, sipas saj, kanë prekur interesat kombëtare shqiptare. Ajo përmend afrimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, nismën “Ballkani i Hapur”, diskutimet për shkëmbimin e territoreve, si dhe zhvillime të tjera që, sipas saj, janë arsyetuar me një qasje politike superiore ndaj kritikëve. Haradinaj vlerëson se e njëjta logjikë po përdoret edhe për hapjen e Konsullatës së Serbisë në Shkodër. Sipas saj, argumenti se kjo mund të sjellë hapjen e një konsullate shqiptare në Bujanoc nuk mund të paraqitet si sukses diplomatik, pasi çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sipas saj, është neglizhuar për vite me radhë. “Po të ishte ngritur vazhdimisht e fuqishëm zëri për diskriminimin, pasivizimin e adresave dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, konsullata shqiptare atje do të ishte realitet prej kohësh”, shkruan Haradinaj. Ajo shton se Serbia nuk ka bërë asnjëherë lëshime si akt vullneti, por se çdo e drejtë e shqiptarëve është arritur përmes sakrificës, rezistencës dhe presionit ndërkombëtar. Për këtë arsye, sipas saj, paraqitja e një konsullate në Bujanoc si arritje diplomatike është “përpjekje për të shitur si fitore atë që ishte detyrim shtetëror dhe kushtetues shumë kohë më parë”. Në përfundim, Haradinaj thekson se shqiptarët nuk kanë nevojë për “ligjërata me ton superior” dhe as për “paternalizëm politik”, duke shtuar se historia, sipas saj, “do të jetë e pamëshirshme ndaj atyre që legjitimojnë narrativat e Serbisë, relativizojnë padrejtësitë ndaj shqiptarëve dhe dëmtojnë interesin kombëtar”.



Të ndryshme
Më shumë
Dalin pamjet: Si u përplasën anijet ushtarake greke dhe turke në Egje, ngjarja u mbajt e fshehtë15 August 2020
Gjendja e jashtëzakonshme zgjatet edhe me 14 ditë të tjera15 May 2020
Turqia rrëzon raketën iraniane mbi Hatai, NATO dhe SHBA reagojnë 4 March 2026