Nga Vendi
6 August 2026
Afati për hetimin ndaj Artan Grubit skadon më 22 gusht, Prokuroria ka edhe 17 ditë kohë

Afati gjashtëmujor për përfundimin e hetimit ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi përfundon më 22 gusht. Nëse deri në këtë datë Prokuroria Publike nuk ngre aktakuzë, masa e arrestit shtëpiak ndaj tij do të pushojë së vlefshmi, në përputhje me afatet e parashikuara në ligj. Sipas informacioneve të publikuara nga Sakamdakazham.mk, prokurori që udhëheq rastin ka edhe 17 ditë në dispozicion për ta përmbyllur hetimin. Në rast se nuk dorëzohet aktakuzë brenda afatit, Gjykata Themelore Penale në Shkup pritet të vendosë një masë tjetër për sigurimin e pranisë së të dyshuarit, e cila zakonisht është konfiskimi i dokumentit të udhëtimit. Artan Grubi u dorëzua në pikën kufitare Bllacë më 23 shkurt 2026, pas rreth 14 muajsh qëndrimi jashtë vendit. Ai është nën hetim në rastin që lidhet me Lotarinë Shtetërore, ku autoritetet po hetojnë dyshime për një dëm financiar prej 8,2 milionë eurosh. Në të njëjtin rast dyshohet edhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë. Hetimi përfshin edhe katër persona të tjerë, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në procedurat që lidhen me organizimin e lojërave elektronike dhe online të fatit. Nga Prokuroria Publike nuk kanë konfirmuar nëse aktakuza do të ngrihet para skadimit të afatit ligjor, duke theksuar se aktualisht nuk ka informacione të reja për këtë çështje. 



Të ndryshme
Më shumë
Beteja për krerët e UÇK-së vazhdon në Apel, 27 nëntori afati për kundërshtimin e aktgjykimit12 October 2026
Moti sot i ndryshueshëm, temperatura deri në 32 gradë18 June 2021
Taravari: Ekspertët gjerman duhet t’i kontrollojnë edhe spitalet tjera modulare15 September 2021