Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar si politike dhe të pabazuar aktakuzën e ngritur për rastin e Lotarisë Shtetërore, ku mes tetë të akuzuarve është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi. Prokuroria Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa sipas akuzës, dëmi i shkaktuar buxhetit lidhet me prokurimin e terminaleve të videolotarisë dhe arrin në rreth 8.2 milionë euro.
BDI thotë se pas dy vitesh hetime, publiku duhet të ketë të qartë se mbi cilat prova dhe argumente konkrete është ngritur rasti. “Shprehim shqetësim serioz për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim kolektiv. Pas dy vitesh hetim, opinioni meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete mbështetet një akuzë e tillë”, thuhet në reagimin e partisë.
Partia e Ali Ahmetit thekson se respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por kërkon që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente. “Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive”, thuhet më tej në reagim.
BDI kërkon që të bëhen publike pretendimet, provat dhe argumentet e palëve, duke vlerësuar se vendimet kolektive nuk duhet të shndërrohen në bazë për përgjegjësi individuale. “Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje politike individuale”, deklaron partia.
Në të njëjtën kohë, BDI kërkon edhe mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit, duke argumentuar se nuk kërkon trajtim të privilegjuar për askënd, por “zbatim të barabartë të ligjit, proces të drejtë dhe drejtësi të pandikuar nga politika”.
Reagimi i BDI-së vjen në të njëjtën ditë kur Prokuroria Publike njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj tetë personave në rastin e Lotarisë Shtetërore, ndërsa për Grubin është kërkuar vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak.