Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar që vendimi i paralajmëruar për 16 shtator të respektohet, pavarësisht përmbajtjes së tij. Në postimin e titulluar “Mesazh për Kosovën: Drejtësia nuk ka anë politike”, Shasivari thotë se për fajësinë ose pafajësinë duhet të vendosë vetëm gjykata, mbi bazën e ligjit dhe provave, ndërsa politika, emocionet dhe reagimet e rrugës, sipas tij, nuk duhet të ndikojnë mbi procesin.
Megjithatë, në deklaratën e ministrit bie në sy vendosja në të njëjtin rrafsh e krimeve të kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë me pretendimet për vepra penale ndaj një numri të vogël serbësh dhe pjesëtarësh të komuniteteve të tjera.
“Në këtë proces, në qendër duhet të jenë të gjithë personat që pretendojnë se kanë qenë viktima të veprave penale, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike – shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë, si dhe të drejtat e çdo të akuzuari”, ka shkruar Shasivari. Kjo qasje e ministrit anashkalon përmasat, karakterin sistematik dhe përgjegjësinë shtetërore të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, duke krijuar një barazim moral ndërmjet agresorit dhe viktimës. Gjatë luftës, forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kryen masakra, vrasje, dëbime dhe shkatërrime masive ndaj shqiptarëve, ndërsa procesi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së mbështetet në akuza individuale dhe jo në përgjegjësi kolektive të luftës çlirimtare.
Duke aluduar në “Marshet e Lirisë” dhe protestave të shqiptarëve kundër Gjykatës Speciale, Shasivari ka kërkuar që Kosova të mos ushtrojë presion politik mbi drejtësinë, por të tregojë besim në të dhe të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit.
“Respektoni gjykatën. Respektoni vendimin. Mbroni integritetin e institucioneve”, ka shkruar ai, duke shtuar se drejtësia nuk i përket asnjë partie, qeverie apo individi, por shtetit dhe qytetarëve.
Deklarata e tij vjen në një çast veçanërisht të ndjeshëm për Kosovën, kur procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të kundërshtohet për qasjen selektive ndaj krimeve të luftës dhe për faktin se shumica dërrmuese e krimeve të kryera nga aparati shtetëror serb vazhdojnë të mbeten të pandëshkuara.