Nga Rajoni
15 September 2026
NATO: KFOR-i mbetet i gatshëm për çdo skenar sigurie në Kosovë

Këshilli i Atlantikut të Veriut është mbledhur sot, më 15 shtator 2026, në formatin e KFOR-it, së bashku me vendet partnere që kontribuojnë me trupa, për të diskutuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash.

Në raportimin e tij të fundit para Këshillit, Ulutash dha një përditësim mbi angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.

NATO bëri të ditur se KFOR-i e ushtron misionin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, i cili vjen pas përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.

Sipas NATO-s, ky proces synon që misioni të mbetet i përshtatshëm për nevojat e sigurisë.

“Procesi i optimizimit bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë", thuhet në njoftim.

Aleanca theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të ketë personel, pajisje, trajnim dhe organizim të përshtatshëm për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të OKB-së.

NATO nënvizoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor dhe përsëriti përkushtimin e saj ndaj sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetit rajonal.

“Përkushtimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal është i palëkundur”, theksoi NATO.

Aleanca tha se vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet korniza për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve", thuhet tutje në njoftim.

Gjeneralmajor Ozkan Ulutash pritet ta përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e tetorit. Në këtë pozitë do ta pasojë gjeneralmajori italian Roberto Vergori. 



Të ndryshme
Më shumë
FSK drejt Gazës, pritet miratimi final për dislokimin në mision paqeruajtës29 March 2026
Mbi 200 milionë raste të infektuara me COVID-19 në botë 5 August 2021
“Takohemi të hënën dhe…”, kryeministrit belg i dalin mesazhet me pornostaren e njohur italiane23 August 2021