Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për misione të veçanta, ka reaguar ashpër ndaj aktgjykimit të njoftuar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Grenell e ka cilësuar dënimin e Thaçit si të papranueshëm, duke kritikuar ashpër Gjykatën Speciale dhe prokurorinë.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të para 25 vjetësh është skandaloz”, ka shkruar Grenell.
Ai ka pretenduar se gjykatat ndërkombëtare po marrin vendime politike, ndërsa ka kritikuar tre gjyqtarët e trupit gjykues dhe prokurorin amerikan Jack Smith, të cilët i ka quajtur “të majtë ekstremë”.
Grenell ka përmendur edhe gjyqtarin zviceran Guenael Mettraux, duke e akuzuar se ka injoruar çështjet ligjore dhe është orientuar nga politika e Jack Smithit.
“Gjykatat duhet të financohen menjëherë”, ka deklaruar ai, duke kërkuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche që të ndërmarrin veprime.
Sipas tij, qytetarët amerikanë po paguajnë për ndjekje penale politike dhe kjo duhet të ndalet.
Kërkon nga Kurti shpërbërjen e Gjykatës Speciale
Në reagimin e tij, Grenell i është drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që të ndërmarrë hapa për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë. Kosovës nuk i nevojitet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar ai.