Nga Rajoni
19 September 2026
“Sot dua që Tirana të flasë” – Veliaj nga burgu i propozon Këshillit bashkiak që katër ish-liderët e UÇK-së të shpallen Qytetarë Nderi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili ndodhet në paraburgim ka reaguar lidhur me vendimin e Hagës, që dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një deklaratë nga paraburgimi, Veliaj thekson se vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së e ka tronditur thellë.

Në një deklaratë në profilin e tij në Facebook, kryebashkiaku i Tiranës thekson se në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.

Lexoni të plotë postimin e tij:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë,

Të dashur qytetarë të Tiranës,

Të dashur shqiptarë kudo që jeni,

Po bëj 19 muaj në izolim. Nëntëmbëdhjetë muaj pa mundësinë reale për të ushtruar mandatin kushtetues që më kanë besuar qytetarët e Tiranës me një rekord historik votash.

Vetëm pak ditë më parë u mor një tjetër vendim gjyqësor që ishte nje grusht institucional ndaj demokracisë vendore. Natyrshëm, mund të prisnit që sot t’ju flisja për këtë.

Por ka momente në jetën e një njeriu kur drama e tij personale bëhet e vogël, përpara një çështjeje kombëtare.

Vendimi i dhënë në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më ka tronditur thellë. Sigurisht procesi juridik ka rrugën e vet dhe drejtësia duhet të ndjekë deri në fund procedurat dhe standardet e saj. Por ne shqiptarët kemi edhe përgjegjësinë për të kujtuar.

Për të kujtuar si liria e Kosovës erdhi pas dekadash represioni, dhimbjeje dhe rezistence, pas familjesh të dëbuara nga shtëpitë e tyre, jetësh të humbura dhe sakrificash të jashtëzakonshme, pas vendimit të një populli për të mos pranuar më që fati i tij të përcaktohej nga të tjerët. Në atë histori, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vendin e saj të lavdishëm, sikurse ushtarët e saj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ata janë katër burra që historia i vendosi në një prej kapitujve më të vështirë dhe më vendimtarë të Kosovës. Kam jetuar dhe punuar në Kosovë, e njoh nga afër Hashimin …

Ndaj sot dua që Tirana të flasë. Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë. Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës.

Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata.

E nga Tirana dua t’u drejtohem edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare, të nderojnë si Tirana. Pasi këta katër burra nuk janë pjesë vetëm e historisë së një qyteti. Ata janë pjesë e historisë së Kosovës dhe përmes saj, e historisë sonë shqiptare. Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht, të ruajë kujtesën e vet historike.

Prandaj sot, nga vendi ku ndodhem, dua t’u them Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit: Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën. Nuk do ta harrojmë Kosovën e represionit dhe të dëbimeve. Nuk do t’i harrojmë ata që humbën jetën. Nuk do t’i harrojmë familjet që sakrifikuan gjithçka dhe nuk do ta harrojmë kontributin e atyre që morën përgjegjësi në luftë dhe më pas në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Unë mund të jem sot pas një dere të mbyllur, por pikërisht këtu kam kuptuar edhe më mirë diçka shumë të thjeshtë: liria është një nga ato fjalë, peshën e plotë të së cilës e kupton edhe më fort kur të mungon. Ndoshta prandaj sot e ndiej Kosovën edhe më afër. Sepse historia e saj na kujton se liria nuk bëhet e përjetshme vetëm sepse është fituar një herë. Ajo ruhet. Mbrohet. Kujtohet. Nderohet.

Për ata që nuk arritën ta shihnin ditën e saj. Për familjet që paguan çmimin e saj. Për të gjithë ata që luftuan dhe punuan për të. Për Kosovën. Për lirinë. Për kujtesën tonë kombëtare. Ata duhet dhe do jenë nderi i kryeqytetit tonë, Tiranës. 

 



Të ndryshme
Më shumë
Më shumë se 2000 viktima në Francë nga temperaturat ekstreme, vala e nxehtësisë përfshin Evropën dhe rrit alarmin shëndetësor 3 July 2026
Marihuana në malin e Tetovës, paraburgosen tre shkupjanët!17 June 2021
Finance Think rekomandon rritje graduale të çmimit të derivateve të naftës në Maqedoni29 June 2021