Nga Bota
19 September 2026
Trump nënshkruan ligjin, Rusinë e presin sanksione të ashpra

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar ligjin që i hap rrugë Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të gjera ndaj Rusisë, me synimin për të rritur presionin mbi Moskën dhe për ta shtyrë atë drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.

Ligji, i njohur si “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia and Iran Act”, u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve dy ditë para nënshkrimit, me 262 vota pro dhe 159 kundër.

Në fokus të legjislacionit janë të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës dhe gazit, ndërsa masat mund të prekin edhe vendet që vazhdojnë të blejnë energji ruse, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Ligji parashikon gjithashtu sanksione ndaj zyrtarëve politikë dhe ushtarakë rusë, si dhe ndaj rrjeteve dhe individëve jashtë Rusisë që, sipas autoriteteve amerikane, ndihmojnë Moskën në furnizimin e makinerisë së saj ushtarake ose në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare.

Një tjetër objektiv janë të ashtuquajturat “anije fantazmë”, një flotë anijesh që përdoret për transportin e naftës ruse dhe që synon të anashkalojë kufizimet e vendosura ndaj eksporteve energjetike të Moskës.

Legjislacioni i jep presidentit amerikan kompetenca të gjera për zbatimin e masave ndëshkuese. Në kuadër të tyre, Trump mund të vendosë edhe tarifa ndaj vendeve që blejnë energji ruse ose që ndihmojnë Moskën të shmangë sanksionet.

Tarifat e parashikuara nga ligji mund të arrijnë deri në 100 për qind, duke e bërë këtë një nga mekanizmat kryesorë për rritjen e presionit ekonomik ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë.

Megjithatë, disa demokratë kanë kundërshtuar pjesë të legjislacionit, veçanërisht kompetencat e gjera që i jepen presidentit për përdorimin e tarifave ndaj vendeve të tjera.

Sipas mbështetësve të ligjit, masat synojnë të kufizojnë burimet financiare që Rusia përdor për të mbështetur luftën në Ukrainë. Kritikët, ndërkohë, kanë ngritur shqetësime për hapësirën e madhe që i lihet presidentit në përcaktimin dhe zbatimin e tarifave ndaj vendeve të treta.

 



Të ndryshme
Më shumë
“Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë”, email kërcënues në Shqipëri 9 October 2026
Selin rrëfen dramën familjare: Prindërit e mi u ndanë pas Big Brother, bëra negociata për t'i bashkuar 4 October 2026
Flet Dardan Krivaqa që vrau mizorisht 18 vjeçaren! Dyshoja se më tradhëtonte me... 24 August 2021